Vdes në aksident trafiku prodekani i Universitet të Gjakovës

Universiteti i Gjakovës ka njoftuar se ka vdekur prodekani i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Gjakovës, Fitor Ollomani.

“Me pikëllim të thellë mësuam lajmin për vdekjen e profesorit të nderuar, Prof. Ass. Dr. Fitor Ollomani. Profesor Ollomani ka dhënë kontribut të rëndësishëm si profesor universitar, prodekan në Fakultetin e Filologjisë dhe si studiues i zellshëm në fushën e gjuhësisë”, thuhet në një telegram ngushëllimi.

Sipas njoftimit, profesor Fitor Ollomani gjatë ditës së sotme ka vdekur në një aksident trafiku.

“Profesor Fitor Ollomani, për të gjithë ata që e njohën, paraqet një figurë të akademikut të kompletuar. Ai, nga studentët e tij, shquhet si udhërrëfyes e pedagog i shkëlqyer. Vdekja e tij është një humbje e madhe për Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë dhe veprat e tij do të jenë udhërrëfyes për gjeneratat e ardhshme”, thuhet në telegram.

Universiteti i Gjakovës, në emër të organeve drejtuese dhe menaxhuese, studentëve, stafit akademik dhe administrativ të UFAGJ-së,  ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve, kolegëve dhe studentëve të tij, për humbjen e më të dashurit të tyre.