Vdes mjeku që trajtoi disa nga pacientët më të sëmurë nga COVID-19 në Houston

Që nga fillimi i pandemisë së COVID-19, Dr. Carlos Araujo-Preza ka kaluar ditët duke u kujdesur për pacientët e sëmurë rëndë nga COVID-19 në Houston, raporton CNN.

Muaj më vonë, ai ishte shtruar në të njëjtin repart të kujdesit intensiv ku shërbeu si drejtor, i infektuar me të njëjtën sëmundje sikur pacientët e tij.

Më 30 nëntor, Araujo-Preza, mjek në kujdesin shëndetësor të HCA Houston në Tomball, Teksas, vdiq nga COVID-19, tha vajza e tij për CNN. Ai ishte 51 vjeç.

Për vëllanë tim dhe mua, ai ishte babai ynë, ishte heroi ynë, ishte sistemi jonë i mbështetjes”, tha Andrea Araujo. “Për familjen në përgjithësi, ai ishte një ndihmë dhe frymëzim i madh për të gjithë.”

Si mjek që trajtoi sëmundjet e frymëmarrjes, Araujo-Preza ishte në vijat e para të luftës kundër pandemisë sapo kjo filloi.

Gjatë tërë kësaj kohe Araujo kishte fjetur në një dhomë në spital, gjithmonë në gatishmëri për thirrje emergjente.

Fëmijët e tij thonë se kanë arritur ta shohin pesë minuta në javë gjatë atyre ditëve të muajit mars dhe prill, kurse të mërkurave vinte në shtëpi për t’i përshëndetur.