Foto: Mino Raiola/Twitter

Vdes Mino Raiola, agjenti i njohur i futbollit

Mino Raiola, agjenti që përfaqësoi disa nga lojtarët më të famshëm të futbollit, ka vdekur në moshën 54-vjeçare, raporton BBC.

Ai përfaqësoi sulmuesin e Borussia Dortmund, Erling Haaland, mesfushorin e Manchester United, Paul Pogba dhe sulmuesin e Milanit, Zlatan Ibrahimovic.

Raiola ishte gjithashtu president i Forumit të Futbollit, i cili përfaqësonte agjentët kryesorë dhe lojtarët e tyre.

“Prania e tij do të na mungojë përgjithmonë”, tha familja Raiola në një deklaratë.

Aty shkruhej: “Me pikëllim të pafund, iu njoftojmë me ndarjen nga jeta të agjentit më të kujdesshëm dhe të mrekullueshëm të futbollit që ka qenë ndonjëherë.

“Mino luftoi deri në fund me të njëjtën forcë që vendosi në tavolinat e negociatave për të mbrojtur lojtarët tanë. Si zakonisht, Mino na bëri krenarë dhe nuk e kuptoi kurrë.

“Mino preku kaq shumë jetë përmes punës së tij dhe shkroi një kapitull të ri në historinë e futbollit modern”.

Deklarata shtoi: “Misioni i Minos për ta bërë futbollin një vend më të mirë për lojtarët do të vazhdojë me të njëjtin pasion.

“Falënderojmë të gjithë për mbështetjen e madhe të marrë në këto kohë të vështira dhe kërkojmë respekt për privatësinë e familjes dhe miqve në këtë moment pikëllimi”.