Vdes këmbësori që u godit me veturë në Prizren

Një këmbësor ka humbur jetën pasi është goditur nga një veturë, në rrugën “Ekrem Rexha”, në Prizren.

Siç njofton zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, aksidenti ka ndodhur të dielën më 05.01.2025, kur një veturë me targa sllovene derisa ishte duke lëvizur në drejtim të lagjes “Arbana” ka goditur këmbësorin, i cili ishte duke kaluar rrugën nga ana e majtë në të djathtë, jashtë vendkalimit të shënuar për këmbësorë.

Sipas Bytyqit, këmbësori ishte goditur me pasqyrën e majtë të veturës, e cila po lëvizte në shiritin e majtë të rrugës me dy shirita në një kahje. 

“Si pasojë këmbësori pëson lëndime të rënda trupore, dërgohet në Emergjencën e Spitalit të Prizrenit, nga ku pastaj është dërguar në QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm – për shkak të lëndimeve të rënda trupore.” – ka thënë Shaqiri për KALLXO.com. 

Ndërkaq, sot më 06.01.2025, Shaqiri thotë se Policia është njoftuar se viktima S.K, rreth 60 vjeçar, ka vdekur në QKUK dhe se trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim. 

Shaqiri njofton tutje se ngasësi i dyshuar V.S , me urdhër të Prokurorit kujdestar, është dërguar në mbajtje.