Branko Lustig

Vdes i mbijetuari kroat i Aushvicit

I mbijetuari kroat i kampit të përqendrimit në Aushvic Branko Lustig, i cili u bë producent filmash në Hollivud dhe fitoi çmim Oskar për filmin “Lista e Shindlerit”, ka vdekur në moshën 88 vjeçare.

Producenti hollivudian i filmave, Branko Lustig, i cili i mbijetoi internimit në kampin e përqendrimit nazist në Aushvic, ndërroi jetë të enjten herët në mëngjes në moshën 88 vjeçare.

Lustig lindi në qytetin lindor kroat të Osijekut në vitin 1932. Për shkak të prejardhjes së tij hebreje, ai u burgos në kampet Aushvicit dhe Bergen-Belsen gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shumica e anëtarëve të familjes së tij u zhdukën në kampe përqendrimi në të gjithë Europën.

“Do të doja t’ju drejtohesha si numri A3317. Ky është numri im nga kampi i Aushvicit, të cilin e kam mbajtur për dy vjet dhe nga i cili arrita të shpëtoja gjallë”, tha Lustig ndërsa fliste në 2015 në një përkujtimore të viktimave të kampit të përqendrimit të stilit nazist në Jasenovac në Kroaci.

Jasenovaci, ku u vranë të paktën 83,000 njerëz, drejtohej nga lëvizja aleate naziste kroate, ustashët.

“Ajo që është e rëndësishme është që gjyshi dhe familja ime u dërguan këtu në Jasenovac. Gjyshi im Guther Emanuel u vra këtu”, tha Lustig për përkujtimore.

Lustig bëri thirrje për studime të mëtejshme mbi Jasenovacin për të bërë më të njohur atë që ndodhi atje për popullin për të luftuar mohimin e gjenocidit dhe revizionizmin historik.

Si producent filmi, Lustig fitoi dy çmime Oskar, një prej tyre për “Lista e Shindlerit”, i cili tregon historinë e një gjermani që shpëtoi qindra hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ai ishte Presidenti i Festivalit të përvitshëm të Tolerancës në Kroaci, i cili ka për qëllim “nxitjen e të menduarit kritik dhe krijimin e një shoqërie më tolerante”.

Festivali i Tolerancës filloi si Festivali i Filmit Hebre, i cili kishte për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin dhe ruajtjen e kujtesës kolektive të Holokaustit përmes filmave dhe dëshmive personale rreth kampeve të përqendrimit të Luftës së Dytë Botërore.