
Vdes gazetarja ukrainase Olga Priadko, e cila po strehohej në Kosovë
Ka vdekur në moshën 51-vjeçare, gazetarja nga Ukraina, Olga Pridako e cila po qëndronte në Kosovë në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë – Kosova”.
Sipas një komunikate për media nga Asociaiconi i Gazetarëve të Kosovës, Pridako ka vdekur në banesën e saj në Prishtinë, ku jetonte për më shumë se dy vjet me djalin e saj.
“Me dhimbje të thellë, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës njofton vdekjen e gazetares ukrainase, Olga Priadko, në moshën 51-vjeçare. Ajo ishte pjesë e programit “Gazetarët në Rezidencë – Kosova”. Zonja Priadko ka vdekur në banesën e saj në Prishtinë, ku jetonte për më shumë se 2 vjet me djalin e saj, Yaroslavin.” – thuhet në komunikatë.
“AGK dhe Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) shprehin ngushëllimet e tyre më të thella për familjen dhe miqtë e gazetares Priadko. Përkushtimi i saj në gazetari do të kujtohet dhe nderohet nga të gjithë ata të cilët punuan me të.” – thekson AGK-ja.
Që nga nisja e pushtimit rus në Ukrainë, Kosova ka ofruar strehim dhe mundësi për punë nga distanca, për rreth 20 gazetarë ukrainas.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24.02.2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak”, për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë – duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.