Vdes futbollisti i Vushtrrisë, Erjon Morina

Ka vdekur në moshën 22-vjeçare futbollisti i FC ‘Vushtrria’, Erjon Morina.

Lajmi u bë i ditur nga familjarët më 12.12.2024.

Ekipi futbollistik e ka kujtuar Morinën duke thënë se “ai gjithmonë do të mbetet pjesë e pandashme e familjes FC Vushtrria”.

Ndërsa, Federata e Futbollit e Kosovës ka shprehur ngushëllime, duke thënë se Erjoni ishte një futbollist me plot pasion.

“Humbja e Erjonit na ka prekur thellë, jo vetëm si komunitet futbolli, por edhe si shoqëri. Ikja e parakohshme nga kjo botë ka ndalur ëndrrat e tij rinore dhe karrierën e tij premtuese, duke lënë pas një boshllëk të madh në zemrat e të gjithë neve. Erjoni ishte një futbollist me plot pasion – ai ishte një djalë shembullor dhe i përkushtuar për realizimin e ëndrrave të tij, por Perëndia e deshi më herët afër vetes. Ndarja e tij na la të pikëlluar, por kujtimi për të mbetet i paharruar në zemrat e familjes, bashkëlojtarëve dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë”- shkruan në telegramin e ngushëllimit të FFK-së.

Morina kishte pësuar sulm në stërvitje dhe prej disa javësh ishte i shtrirë në spital, raporton Telegrafi.com.

Ai e ka nisur karrierën te FC Prishtina, derisa ka luajtur edhe për skuadra të tjera në Kosovë si Besa Pejë, Drenica, 2 Korriku, Llapi, Malisheva, Ulpiana dhe së fundmi ishte pjesë e Vushtrrisë.