Vdes futbollisti 16 vjeçar i FC Trepça ’89

Ka vdekur sot në moshën 16 vjeçare, futbollisti i FC Trepça ’89 Erion Kajtazi.

Lajmin e ka bërë të ditur Federata e Futbollit e Kosovës.

Sipas FFK-së, Kajtazi ka qenë duke luajtur në ndeshjen A&N – Trepça’89, kur në një moment ka rënë pa vetëdije në fushë.

“Stafet mjekësore të të dyja klubeve kanë intervenuar me shpejtësi për t’i ofruar ndihmë dhe më pas me urgjencë e kanë dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren. Megjithatë, përkundër përpjekjeve maksimale të mjekëve, Erioni nuk ka dhënë shenja jete dhe është konstatuar vdekja e tij nga ataku kardiak”- thuhet në njoftimin e Federatës.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.

Sipas Gashit, për rastin janë njoftuar Policia dhe Prokuroria të cilat kanë filluar hetimet për këtë rast.

“Viktima E.K. (viti i lindjes 2005), ka vdekur në një fushë të sportit në fshatin Korishë ku ka qenë duke u luajtur në një ndeshje sportive. Rasti po hetohet si hetim i vdekjes, me urdhër të prokurorisë trupi i pajetë i viktimës është dërguar IML”- ka thënë Gashi.