Francesca Tardioli, Foto: Ministria e Jashtme, Itali/ Facebook

Vdes ambasadorja italiane në Australi, dyshohet se ra nga ballkoni

Ambasadorja italiane në Australi, Francesca Tardioli, është gjetur e vdekur jashtë shtëpisë së saj.

Dyshimet e para janë se ajo ra nga ballkoni i shtëpisë së saj nga kati i tretë.

The Guardian ka shkruar se ngjarja po hetohet edhe nga policia italiane.

Vdekjen e ambasadores italiane e ka konsideruar tronditëse edhe ambasadorja e Australisë në Itali, Margaret Twomey.

“Kolege briliante, diplomate shumë e respektuar. Mendimet tona janë me familjen, miqtë e saj”, ka shkruar Twomey në Twitter.

Kjo e fundit e përshkroi Tardiolin si një nga dhuratat më të mëdha të Italisë për Australinë.

Ambasada dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë gjithashtu kanë shkruar për ngjarjen e rëndë.

Agjencia e lajmeve italiane AGI sipas The Guardian raportoi se ambasadorja italiane dyshohet se humbi ekuilibrin ndërsa ishte përkulur mbi ballkonin e saj.

Tardioli mbante postin e ambasadores që nga shtatori i vitit 2019.