Mytaher Haskuka, Hysni Hyseni dhe Albin Kurti

Vdes aktivisti i Vetëvendosjes në Prizren

Sot ka ndërruar jetë aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, Hysni Hyseni.

Me rastin e vdekjes së tij kanë ngushëlluar aktivistë të Vetëvendosjes në rrjetin social ‘Facebook’.

Aktivisti Faruk Dakaj ka shkruar se Hyseni kishte humbur njërin sy në protestën e 10 shkurtit 2007.

“Pas 11 dite bëhen 13 vjet prej kur u plagos dhe humbi njërin sy në protestën e 10 shkurtit 2007, që nga ajo kohë e deri më sot Doda nuk është ndal në aktivitetet e Lëvizjes”, ka shkruar ai, të mërkuren.

Ndërkaq, për vdekjen e tij ka shkruar edhe kryetari i Komunës së Prizrenit njëhërësh anëtar i Vetëvendosjes, duke e kujtuar si një njeri të drejtë dhe shembull.

“Ti ishe vetëmohimi, ti ishe frymëzimi, ti ishe guximi!I drejtë dhe vazhdove drejtë! Kurrë nuk u ndale, edhe kur të lënduan dhe të plagosën rëndë, besove dhe veprove! Ti ishe shembull i babait, burrit, vëllaut, qytetarit, aktivistit, shokut…Do të kujtojmë gjithmonë bujarinë, guximin, atdhedashurinë … vullnetin për mirësi”, ka shkruar Haskuka.