Vdes 5 vjeçarja e aksidentuar dy javë më parë në Kaçanik

Ka vdekur sot 5 vjeçarja, e cila u godit nga një automjet me datën 14 qershor 2021 në fshatin Stagovë të Kaçanikut.

Sipas komunikatës së Policisë së Ferizajt, ngasësi i automjetit që shkaktoi aksidentin është një zyrtar policor.

Në komunikatë po ashtu thuhet se dyshohet se aksidenti ka ndodhur kur automjeti i udhëtarëve Golf me targa vendore, po qarkullonte nga drejtimi i lagjes ‘’Dashi’’ në drejtim të magjistrales, në rrugën ‘’Ekrem Gudaqi‘’ të fshatit Stagovë, ndërsa këmbësorja, ishte duke lëvizur prej anës së djathtë për të kaluar në anën e majtë të kësaj rruge, dhe në atë moment, me pjesën e përparme, goditet nga automjeti Golf, që i shkakton lëndime të rënda trupore.

Në komunikatë po ashtu thuhet se drejtuesi i automjetit, këmbësoren e lënduar e dërgon në Qendrën e Mjekësisë Familjare të Kaçanikut. Pasi merr ndihmën e parë mjekësore aty, e njëjta dërgohet për tretman të mëtutjeshëm mjekësor, në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës.

“Sot, me datën 29.06.2021, në ora 05:37, jemi njoftuar nga Qendra Klinike Universitare e Prishtinës, se këmbësorja S.M e cila ishte duke u trajtuar në repartin intenziv, si pasojë e lëndimeve të rënda trupore në këtë aksident, ka ndërruar jetë. Në ditën e aksidentit, menjëherë është njoftuar Inspektorati i Policisë së Kosovës, i cili ka rekomanduar suspendim e përkohshëm të policit të involvuar në këtë aksident, ndërkaq me vendim të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, i njëjti ishte ndaluar në mbajtje për 48 orë, për të kaluar në procedurë të rregullt pastaj”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Me vendim të Prokurorit të rastit, trupi e pajetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Rasti është në procedurë të mëtejme hetimore.