Vdes 37-vjeçari në një vetaksident në Prelez të Ferizajt, Policia jep detaje

Një 37 vjeçar ka mbetur i vdekur si pasojë e një vetaksidenti në magjistralen Ferizaj-Prishtinë, saktësisht në fshatin Prelez të Ferizajt.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Vesei. Aksidenti raportohet se ka ndodhur mëngjesin e së shtunës, më 04.01.2025 dhe se në të ka qenë e përfshirë një veturë me targa vendore. 

Sipas Veselit, nga hetimet e para, dyshohet se shoferi i veturës, derisa ishte duke qarkulluar nga Ferizaj në drejtim të Prishtinës, me të arritur të fshatin Prelez i Jerlive, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e veturës.

Kështuqë, i njëjti thuhet se ka kaluar në anën e majtë të rrugës duke goditur fillimisht ulësen në pikëstacionin e autobusëve dhe është ndalur në rrethojat e një autosalloni. 

“Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe një ekip i mjekëve nga Qendra Emergjente e Ferizajt, të cilët kanë konstatuar se shoferi F.I ( M/) i moshës 37-vjeçar është pa shenja jete”- ka shtuar Veseli më 04.01.2025. 

Tutje, ai njofton se për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes dhe se me vendim të tij, trupi i pajetë i viktimës i është liruar familjarëve.