Ilustrim: Naser Fejza

Vdes 16 vjeçari që dyshohet se u plagos nga zyrtari policor në Istog

Ka vdekur 16 vjeçari i cili dyshohet se u plagos nga zyrtari policor më 15.07.2024 në Istog.

I njëjti ka qenë duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

“Ka ndërruar jetë viktima. Prokurori i shtetit ka urdhëruar të bëhet obduksioni”- tha Nikçi.

Ndërsa drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla ka thënë se i njëjti nuk ka arritur të iu mbijetoj plagëve të marra.

“Pacienti të cilit i referoheni që ka qenë duke u trajtu tek ne, pas lëndimeve të rënda që ka marr nuk ka arritur që t’i mbijetojë. Ai ka vdekur sot në orët e hershme të mëngjesit”- ka thënë Syla për KALLXO.com.

Zyrtari policor me inicialet F. H. dyshohet se më datë 15.07.2024 në 23:35h, ka shkrepur armën e cila e ka goditur në kokë viktimës, familjarin e tij të mitur 16-vjeçar.

I njëjti më pas u suspendua nga Inspektorati Policor i Kosovës. Ai dyshohet se veprën penale e kreu teksa ishte në uniformë zyrtare duke u bërë gati për të filluar orarin e punës.

KALLXO.com ka siguruar Dosjen e Prokurorisë, në të cilën është edhe procesverbali me deklaratën e dëshmitarit të rastit, i cili po ashtu është i mitur.

Ky i fundit në dëshminë e tij ka shpjeguar se si dyshohet se ka ndodhur e gjithë ngjarja, duke e treguar në detaje se si polici F. H. dyshohet se ia drejtoi në kokë armën familjarit të tij e më pas edhe e shkrepi.

“Unë e pashë armën e F. (i dyshuari) që e ka të punës duke e mbajt në dorë të G. (dëshmitar). Unë sa e kom pa G. (dëshmitar) asnjëherë nuk e ka raportirat, por e ka nxjerrë karikatorin dhe ka fillu mi hek plumbat prej tij, plumbat G. (dëshmitar) i gjuajke në kauq, më duke se i ka hjek të gjitha plumbat prej karikatorit, pas kësaj e ka marr F. (i dyshuari) armën e ka raportirat dhe e ka drejtu në drejtim të kokës së G. (viktima) dhe kam dëgjuar që ka kërsit arma, unë nuk e kam dëgjuar asnjë fjalë që ka thënë F. (i dyshuari)” – ka qenë deklarata e njërit nga personat që ka qenë në vendin e ngjarjes.

I njëjti po ashtu ka shtuar se distanca në mes viktimës dhe të dyshuarit ka qenë deri në dy metra.

Dosja e Prokurorisë shpjegon se si polici në Istog dyshohet se ia drejtoi në kokë viktimës armën