Spitali i Gjakovës | Foto: KALLXO.com

Vdekje e dyshimtë në Spitalin e Gjakovës, Policia nis hetimet, drejtori i quan shpifje akuzat e familjarëve

Një 66 vjeçar i dyshuar se ka qenë i infektuar me virusin COVID-19 ka vdekur të enjten, më 23 korrik, në komunën e Gjakovës.

Tashmë i ndjeri, Besim Tafarshiku, ka qenë duke u trajtuar në repartin e Pulmologjisë në Spitalin Rajonal të Gjakovës, pasi kishte simptoma të virusit corona.

Familjarë të tij, pretendojnë se ai është neglizhuar nga spitali i Gjakovës dhe si pasojë e gjendjes së rëndë, ka vdekur.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Ali Tafarshiku, nipi i të ndjerit, ka thënë se stafi i spitalit e ka lënë axhën e tij në oborr në gjendje të rëndë shëndetësore.

“E enjte me 23 korrik, në ora 11:40 e kanë lënë në oborr. E kanë dëbu nga spitali, e kanë lënë në oborr në gjendje të rëndë, jemi detyruar me taksi ta sjellim në shtëpi, ku pas 20 minutave ka vdekur”, tha Ali Tafarshiku.

Sipas tij, nga reparti i Pulmologjisë e kanë liruar për ta transferuar në repartin e Psikiatrisë, ndërsa në këta të fundit nuk e kanë pranuar.

“Ka pasur dhimbje shumë dhe si pasojë e gjëmimeve kanë dashtë me e transferu në repartin psikiatrik. E ka marrë infermierja për me e dërgu nga Pulmologjia në Psikiatri, në fund ka bisedu me dikë në telefon dhe e ka braktisur në oborr, duke thënë që nuk po e pranojnë, rastin dërgojeni në shtëpi”, pretendon Tafarshiku.

Ai thotë se në ato momente edhe numri i emergjencës në mjekësinë familjare në Gjakovë nuk ka funksionuar.

Në anën tjetër, drejtori i Spitalit të Gjakovës, Hilmi Shala, në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se kjo është shpifje e familjarëve dhe me këtë rast po mirret policia.

“Kjo është rrenë dhe është shpifje. Me këtë po mirret policia e prokuroria, unë si drejtor nuk kam çka me deklaru. Vetëm të na lejojnë neve mjekëve që ta bëjmë punën tonë, sepse jemi të stërngarkuar”, ka thënë Shala përmes telefonit.

Ndërkohë Policia e Kosovës e ka konfirmuar se ka filluar hetimet në lidhje me këtë rast.

Në raportin 24 orësh të datës 26 korrik, policia e ka konsideruar rastin si ‘trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor’.

“Më 24.07.2020 ankuesja femër kosovar ka informuar se bashkëshorti i saj viktima mashkull kosovar ka vdekur më 23.07.2020, dhe shprehë dyshimin se viktimës për shkak të neglizhencës dhe mosmarrëveshjes së stafit mjekësor, nuk i ishte ofruar trajtim mjekësor. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.