Foto: Kallxo.com

Vdekja në vendin e punës, Zyra e BE-së kërkon përgjegjësi nga kompanitë dhe Inspektorati

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar pas vdekjes së një punëtori në vendin e tij të punës në Milloshevë.

Sipas zyrës së BE-së në Kosovë, për këtë duhet të marrin përgjegjësi kompanitë dhe Inspektorati i Punës.

“Në lidhje me aksidentin tragjik që ndodhi tre ditë më parë në Milloshevë, në të cilin një person vdiq në vendin e tij të punës, BE përsërit përsëri rëndësinë e zbatimit të rregullave që lidhen me sigurinë në punë. Shëndeti dhe siguria është thelbësore për çdo punonjës dhe është detyrë dhe përgjegjësi morale e kompanive, si dhe Inspektorati i Punës të kujdesen për mbrojtjen e punëtorëve”, thuhet në reagimin e kësaj zyre.

“BE ka mbështetur Kosovën duke ndihmuar në harmonizimin e legjislacionit kombëtar në fushën e kushteve të punës me legjislacionin e BE-së, ndërsa ka ndihmuar ndërtimin e kapaciteteve të Inspektoratit të Punës. Fatkeqësisht zbatimi i legjislacionit është shumë i dobët pasi numri i viktimave mbetet i lartë me 11 viktima këtë vit. BE shpreh ngushëllimet e thella për familjet e viktimave”, thuhet në fund të reagimit nga Zyra e BE-së në Kosovë.