Ilustrim

Vdekja e të paraburgosurit në Prizren, Shërbimi Korrektues jep detaje

Një i paraburgosur 34-vjeçar me inicialet F.I. është gjetur pa shenja jete në qelinë e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Shërbimi Korrektues ka thënë se 34-vjeçari dyshohet se ka varur veten në dritaren e banjës së dhomës ku ishte duke qëndruar.

“Sipas Raportit Mjekësor të Stacionarit, i burgosuri F.I në vazhdimësi ka pasur probleme shëndetësore të natyrës mendore, ngecje ne zhvillim mendor, për çka është trajtuar në vazhdimësi nga mjeku i burgut, psikiatri, psikologu”, thuhet në njoftim.

ShKK thotë se reagimi ka qenë i menjëhershëm nga ana e stafit korrektues dhe atij mjekësor por përkundër përpjekjeve të reanimimit nuk kanë arritur ta shpëtojnë.

“Lidhur me rastin janë suspenduar zyrtarët përgjegjës, janë njoftuar Policia e Kosovës dhe prokurori, ndërsa SHKK ka filluar të bëjë hetimet procedurale dhe administrative, gjithashtu është themeluar Komisioni Hetimor Administrativ nga SHKK, i cili do të dal me Raport Administrativ Përfundimtar”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.

Trupi i pajetë i 34-vjeçarit do të dërgohet për obduksion për të verifikuar shkakun e vdekjes.

Gjendet pa shenja jete një i paraburgosur në Prizren