Burgu i Dubravës (Ilustrim)

Vdekja e të burgosurit në Spitalin e Pejës, KMDLNj kërkon suspendimin e vuajtes së dënimit për të burgosurit me sëmundje të rënda

Një i burgosur 71 vjeçar me inicialet S. L., ka vdekur gjatë ditës së sotme në Pejë.

I njëjti sipas Shërbimit Korrektues që nga pranimi, tërë kohën ka qenë i hospitalizuar në Stacionarin e Burgut të Qendrës Korrektuese Dubravë, ku po trajtohej për sëmundje të shumta.

Sipas SHKK-së, 71 vjeçari i cili ishte dënuar për vrasje të rëndë, kohëve të fundit ka pasur komplikime si pasoje e sëmundjeve që ka pasur.

Si pasojë e kësaj, i njëjti dy javët e fundit ka qenë i shtrirë nën kujdesin e vazhdueshëm në Spitalin Rajonal  të Pejës, ku përkundër ofrimit të ndihmës mjekësore, i njëjti mëngjesin e sotëm ka vdekur.

Shërbimi Korrektues ka bërë të ditur se organet kompetente janë duke u zhvilluar procedurat ligjore, ndërsa autopsia do të verifikoi shkakun e vdekjes.

Në anën tjetër KMDLNj me anë të një njoftimi ka thënë se ndaj të dënuarit kanë qenë duke u zhvilluar procedurat e pezullimit të dënimit.

Kjo ishte kërkuar nga stafi mjekësor dhe Drejtori i Burgut të Dubravës.

“Ka qenë kërkesë e vazhdueshme që të i ndërpritet dinim për shkaqe shëndetësore. Ka pasur kërkesë për falje nga Presidenti, por të gjitha këto nuk janë realizuar”, thuhet në njoftimin e KMDLNj-së.

KMDLNj ka kërkuar që të burgosurit me sëmundje të pashërueshme tu ndërpritet vuajtja e dënimit apo t`u mundësohet trajtimi mjekësor që i siguron familja.

“Nuk është rasti i parë e nuk do të jetë as i fundit që të burgosurit, pa asnjë shpresë për shërim mbahen në burg ku edhe vdesin e që përgjegjësia i adresohet, pa të drejtë, Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Shërbimit Shëndetësor të Burgjeve. Ndërprerjes së dënimit për shkaqe shëndetësore dhe të moshës duhet t’iu nënshtrohen vetëm rastet që për shkak të natyrës së veprës, nuk mund të lirohen por se konsiderohet si zgjidhje e përkohshme”, thuhet tutje në njoftimin e KMDLNj-së.

Ata kanë shprehur se pasi mungon baza ligjore për këtë, do ta përkrahë çdo nismë për ndryshim të Ligjit që e mundëson këtë ndërprerje të dënimit për shkak të gjendjen shëndetësore apo të moshës.