Gjykata Themelore në Prishtinë - Foto: KALLXO.com

Vdekja e shtetasit nga Siria që u godit nga vetura, Gjykata vendos për vozitësin e dyshuar

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit për një muaj kundër të pandehurit V. B. i cili më 11 mars 2022 dyshohet se ka goditur me veturë një sirian i cili si pasojë e këtij aksidenti ka vdekur.

Sipas njoftimit të Gjykatës, i pandehuri në datën e lartcekur rreth orës 17:25 në rrugën Sllatinë-Magur në fshatin Harilaq, duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes së mjetit me kushtet dhe duke mos pasur kujdes ndaj këmbësorëve ka goditur një nga ta.

Tutje është thënë se viktima, E. N. A., si pasojë e këtij aksidenti ka vdekur.

Në njoftim të Gjykatës është thënë se kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Kujtojmë se për këtë rast Policia e Kosovës kishte publikuar një informacion të pasaktë në lidhje me ngjarjen tragjike.

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh, ku publikon informacionet më të rëndësishme në 24 orët e fundit, kishte raportuar duke thënë se viktima e këtij rasti është një grua, shtetase siriane.

Mirëpo, ky informacioni fillestar i raportuar nga Zyra për Media e Policisë së Kosovës është i pasaktë, për shkak se viktima është një burrë, shtetas sirian dhe jo një grua, shtetase siriane.

Pas raportimit të mediave, që kanë cituar raportin 24 orësh, në adresë të KALLXO.com ishte paraqitur vëllai i viktimës, i cili kishte deklaruar se viktima është vëllai i tij, pra është burrë dhe jo grua siç ka raportuar Policia e Kosovës.

Se Zyra për Media e Policisë së Kosovës ka lëshuar një informacion të pasaktë e kishte konfirmuar edhe komandanti i Trafikut të Policisë së Kosovës, Milaim Fejzullahu.

Fejzullahu i cili ka qenë në vend të ngjarjes për KALLXO.com e ka konfirmuar se viktima ka qenë burrë.

“Mashkull është, unë kam qenë në vend të ngjarjes”, ka thënë Fejzullahu për KALLO.com.

Fejzullahu kishte thënë se nuk di pse në raportin 24 orës të Policisë së Kosovës është raportuar se viktima ka qenë grua, duke thënë se kjo mund të jetë lëshim teknik nga ana e Zyrës për Media.

“Mundet me qenë gabim teknik, sepse ne raportin qe e kemi dërguar me informacionin që është mashkull”, tha tutje ai.

Këtë informacion e ka konfirmuar edhe prokurorja e rastit e ka konfirmuar edhe prokurorja e rastit, Rukije Shasivari.

“Në bazë të dokumentacionit, leje qëndrimit dhe fotografisë së leje qëndrimit, viktima ka qenë e gjinisë mashkull”, ka thënë Shasivari për KALLXO.com.

KALLXO.com kishte kontaktuar edhe me mjekun e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë, Arbnor Heta, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Doktori Heta duke u thirrur në të drejtat e viktimës, për ta mbrojtur privatësinë e viktimës, ka deklaruar se nuk mund të jap asnjë informacion.

Në raportin e Policisë së Kosovës të datës 12 mars 2022, Policia e Kosovës i referohet viktimës, si viktimë e gjinisë femërore, shtetase siriane.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që me veturë ka goditur këmbësoren, femër shtetase siriane. Në vendin e ngjarjes ka dalë prokurori i shtetit dhe një ekip mjekësor.  Mjeku përgjegjës ka konstatuar se trupi i viktimës është pa shenja jete. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Viktima e aksidentit në Harilaq të Fushë Kosovës është burrë dhe jo grua, policia ofroi informacion të pasaktë