Spitali i Vushtrrisë

Vdekja e qytetares nga Skenderaj, Spitali i Vushtrrisë mohon pretendimet e familjarëve për neglizhencë

Vdekja e një pacienteje 76-vjeçare nga Skenderaji, që u regjistrua si e infektuar me COVID-19 post-mortem, ka ngritur dyshime mbi nivelin e trajtimit mjekësor në Spitalin e Vushtrrisë.

Labinot Dervishaj nga Skenderaj  që e kishte dërguar gjyshen për trajtim në Spitalin “Sheikh Zayed” në Vushtrri, me një seri reagimesh ka rrëfyer neglizhencën që sipas tij është treguar nga stafi mjekësor në spitalin e specializuar për COVID-19.

Pretendimet e Dervishajt, i ka mohuar spitali në një reagim publik të mërkurën.

Ishte data 15 gusht, rreth orës 6 të mëngjesit kur Mire Dervishaj u dërgua në në Emergjencën e Spitalit të Mitrovicës dhe  pas një kontrolle aty u transferua për në Spitalin e Vushtrrisë si e dyshuar për COVID-19.

Ai rrëfen se moskujdesi ndaj gjyshes së tij filloi gjatë rrugës së transferit, pasi sipas tij duke zbritur nga autoambulanca shoferi i këtij mjeti e ka thyer krevat-karrocën. 

Tutje, sipas Dervishit, po atë ditë rreth orës 11:00 në Spitalin e Vushtrrisë, gjyshes së tij i janë marrë mostrat nga IKSHPK për testim për virusin COVID-19 dhe i është thënë se brenda 48 orëve do të konfirmohet rezultati gjë e cila, sipas tij, nuk ka ndodhur as pas 100 orëve.

Më 16 gusht, gjëndja e pacientes ishte përkeqësuar e Dervishaj thotë se në atë gjëndje stafi mjekësor po diskutonte mes vete për trasnferimin e saj për në QKUK. 

“… Derisa pacientja ka pasur dhimbje të jashtëzakonshme ata kanë zhvilluar një debat aspak etik dhe aspak profesional me njëri tjetrin në prani të ne familjarëve por edhe në prani të vetë pacientes tashmë të ndjerë: “po e transferojmë për Prishtinë”, “jo po lëmë këtu”, “jo s’ka vend këtu”, “jo s’po na hapin telefonin ata në Prishtinë”, “um ka thanë X mjeku se një respirator që e kemi të lirë po e ruajmë për nënën e X kolegut…”,  biseda e tyre ka zgjatur përreth një orë pa intervenuar asgjë tek pacientja”, rrëfen ai.

Dervishaj rrëfen se me kërkesë urgjente të familjarëve për të intervenuar e kanë vendosur në një respirator mobil të cilën kanë thënë se e kanë marrë nga emergjenca e këtij spitali dhe e kanë vendosur në gjendje kome dhe të intibuar.

Ai shton se të nesermen një mjek kujdestar u soll indiferent ndaj pacientes pasi që “as rëntgenin e mushkërive nuk ia kanë bërë deri në mbrëmje derisa kanë kërkuar familjarët që t’i bëhet”. 

“Fiksim mbesin fjalët e këtij “profesionisti shëndetësor” që i përsëriste fjalët e kolegëve të ndërrimit paraprak: “kjo e ka krye”, “kjo nuk del nga respiratori e gjallë” e të tjera fjalë të rënda që tregojnë për distancën e largët të etikës profesionale me disa nga mantel-bardhët tanë nga të cilët i kemi sytë e gjithë populli”, pretendon ai. 

Deri me datën 17 gusht, ai thotë se pacientja ka vazhduar të qëndrojë po në atë dhomë ku është shtrirë ditën e parë që nuk ka qenë e repartit intensiv ndërsa vendosja e respiratorit pretendon se ka qenë në mënyrë amatore dhe të dhunshme për shëndetin e pacientes.

Kurse, më 18 gusht rreth orës 21:30, sipas Dervishajt, familjarëve u është thënë se gjendja e pacientes është stabile, por shton se  gjatë kësaj dite është vënë re se pacientja nuk ka qenë duke marrë terapi prej disa orëve por edhe tensioni arterial nuk i është matur prej mesit të ditës dhe në orën 22:05 sipas raportit të spitalit familjarja e tyre ka ndërruar jetë.

Më tej, ai thotë se pavarësisht gjithë trajtimit, nuk kanë asnjë dokument zyrtar që e ndjera ka pasur virusin COVID-19. E për gjithë, familjarët e pacientes tashmë të ndjerë thonë sedo të kërkojnë drejtësi. 

Lidhur me pretendimet e Dervishajt, Spitali “Sheikh Zayed” ka reaguar duke thënë se rrëfimi i tij ‘nuk reflekton të vërtetën për rastin në fjalë”.

Spitali megjithatë ka konfirmuar se kishin hasur në telashe për transferimin e pacientes në QKUK.

“ Për shkak që nuk ka pasur vend në mjekimin intensiv, e ndjera është pranuar në repartin e Internos. Po në natën e pranimit, pas orës 01.00, e ndjera është intubuar në po të njëjtin repart edhe krahas mbikëqyrjes mjekësore nga specialistët e repartit, mbikëqyrja e vazhdueshme është realizuar nga anesteziologu. Duke pas parasysh së gjendja e saj ka qenë shumë e rëndë, është provuar të transferohet në QKUK, por për shkak të mbingarkesës edhe në QKUK, nuk është lejuar transferimi.”, thuhet në reagimin e Spitalit.

Sipas tyre, pacientja në fjalë ka pranuar trajtimin e njëjtë me të gjithë pacientët e tjerë, por sëmundjet e saj shoqëruese si dhe COVID-19 ia kanë humbur asaj betejën për jetë.

“ E ndjera është trajtuar me terapi, njëjtë sikur se të gjithë pacientët e tjerë me gjendje sikur se kjo, në pajtim me protokollin e MSh-së. Për çka është evidentuar në historinë e saj e gjithë terapia që është aplikuar. Duke qenë se gjendja e saj shëndetësore ka qenë shumë e rënd, ka qenë e prekur nga COVID-19 dhe ka pasur sëmundje të tjera përcjellëse e njëjta, ka exituar në mjekimin intensiv, me datën 18.08.2020, ora 22.05”, thuhet tutje në reagimin e Spitalit.

Në këtë postim të Spitalit të Vushtrrisë në rrjetin social “Facebook” ka kundër reaguar Labinot Dervishaj duke përsëritur rrëfimin për përjetimet e familjares gjatë trajtimit në këtë spital, javen e kaluar.

Të dhënat e fundit tregojnë se në Spitalin e Vushtrrisë nga 28 pacientët të cilët janë duke marrë tretman mjekësor për COVID-19, 21 prej tyre janë duke u asistuar me oksigjeno-terapi.

Në anën tjeter, numri i personave që kanë vdekur nga COVID-19 në vend është 488. Ndërsa, numri total i rasteve pozitive është 12 mijë e 683 raste dhe gjithsej 8 mijë e 788 janë shëruar.