Foto: Ilustrim

Vdekja e një punëtori vitin e kaluar në Obiliq, arrestohen tre persona

Tre persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës gjatë ditës së sotme të cilët po cilësohen si të dyshuar në rastin e vdekjes së një personi më 28 dhjetor të vitit të kaluar.

Njëri nga të arrestuarit po dyshohet për kryerjen e veprës penale “Asgjësim, dëmtim apo heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim në vendin e punës”, ndërsa për dy të dyshuarit tjetër është hapur rast për “Kallëzim të rremë”.

Lidhur me këta të fundit, sipas Policisë arsyeja se pse është hapur rast ndaj tyre është pasi që gjatë hetimeve policore ka rezultuar një mospërputhje e fakteve me deklaratat e tyre.

Ngjarja në fjalë kishte ndodhur në fshatin Shkabaj të Obiliqit dhe më pas ishte iniciuar si “Vdekje e dyshimtë”.

Viktima kishte rënë nga lartësi dhe kishte pësuar lëndime, të cilave viktima nuk arriti që t’i përballojë dhe i njëjti kishte vdekur.

Vdekjen e viktimës e kishte konstatuar asokohe ekipi mjekësor në vendngjarje, përderisa rasti kishte filluar që të hetohej nga njësitet kompetente policore në koordinim me prokurorinë dhe Inspektoratin e Punës.

Përderisa, tre të arrestuarit sot pas intervistimit me vendim të prokurorit të shtetit janë dërguar në mbajtje.