Vdekja e gruas shtatzënë nga Shtimja, flet për KALLXO Kryeprokurori i Ferizajt

Gjatë ditës së sotme është njoftuar që një burrë nga Shtimja është ankuar në Policinë e Kosovës, ai ka thënë se gruaja e tij shtatzënë ka vdekur si shkak i trajtimit të papërgjegjshëm mjekësor.

KALLXO.com është interesuar për rastin dhe ka kontaktuar me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari.

Ai ka thënë se dyshohet se gruaja ka vdekur në Prishtinë.

“Sipas informacioneve gruaja ka vdekur në Prishtinë, nuk jam i sigurt, nëse nuk gaboj në Prishtinë”, ka thënë Kryeprokurori për KALLXO.com.

Tutje ai ka shtuar se janë kërkuar të gjitha raportet mjekësor nga ana e Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë.

“Zyrtarisht i kemi kërkuar të gjitha raportet mjekësore nga QKUK, me që dyshohet se atje ka vdekur”, është shprehur Jashari.

Tutje ai ka shtuar se për rastin kanë filluar hetimet.

“Dje jemi njoftuar për këtë rast, kemi autorizuar njësinë rajonale të hetimeve janë duke u marr me rastin”, tha ai.

Policia ka njoftuar se ngjarja ka ndodhur në muajin e kaluar, në periudhën 17 dhjetor – 21 dhjetor, ndërsa ankesa nga ana e burrit është pranuar dje.

“Më 24 janar 2022 ankuesi, ka raportuar se për shkak të trajtimit të pa ndërgjegjshëm mjekësor apo mos kujdesit, bashkëshortja e tij e cila ka qenë shtatzënë së bashku me e fëmijën e saj kishte ndërruar jetë”, është thënë në raportin 24 orësh të Policisë.

Gruaja shtatzënë vdes, burri ia lë fajin trajtimit mjekësor