Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vdekja e gruas shtatzënë, mjeku i saj thotë se nuk ka pasur neglizhencë mjekësore

Gjatë ditës së sotme Policia e Kosovës ka njoftuar se një burrë nga Shtimja është ankuar duke thënë se gruaja e tij shtatzënë ka vdekur pasi ka pasur trajtim të papërgjegjshëm mjekësor.

KALLXO.com është interesuar të di se kush ka qenë mjeku i saj dhe cila ka qenë gjendja e pacientes gjatë shtatzënisë.

Në një përgjigje për KALLXO.com drejtori i Klinikes se Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Jakup Ismajli, i cili njëkohësisht e ka trajtuar gjatë tërë shtatzënisë viktimën ka thënë se gjendja e saj ka qenë stabile dhe pa asnjë problem.

“Pacientja është trajtuar gjatë tërë shtatzënisë tek unë, gjendja e saj ka qenë stabile pa asnjë problem”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Sipas tij nuk ka arsye të mendohet se ka pasur neglizhencë ose mosafrim të ndihmës mjekësore profesionale.

“Nuk ka asnjë dilemë dhe asnjë arsye të mendohet në neglizhencë apo mos afrim të ndihmës mjekësore profesionale”, është shprehur Ismajli.

Ai tutje ka thënë se kjo punë është lënë në dorën e organeve të drejtësisë.

“Për këtë le të vendosin organet e drejtësisë”, tha Ismajli.

Ai ka treguar se pacientja që ishte në javën e 36 të shtatzënisë është paraqitur në QKUK më 20 janar të këtij viti.

Sipas Ismajlit në momentin e paraqitjes në Klinikë e njëjta ka qenë me gjakderdhje.

Sipas të parit të Klinikës së Gjinekologjisë, operacioni i pacientes është kryer brenda 20 minutave.

“Ka ardh në gjendje të rendë në ora 23:35, operacioni është kry në ora 23:55”, ka thënë tutje Ismajli.

Katër orë pas operacionit, sipas Ismajlit, viktimës iu është përkeqësuar gjendja.

“Ekipa operatore ka hy prapë në sallë, është reanimuar me gjak dhe është transferuar në Mjekimin e Intenisivës Qendrore për trajtim të mëtutjeshëm”, ka thënë Ismajli.

Sipas tij stafi ka bërë të pamundurën që ta ndihmojë pacienten dhe që ajo të trajtohet sa më mirë.

Për këtë rast kanë filluar hetimet nga ana e Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

Kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari ka thënë në një përgjigje për KALLXO.com se janë kërkuar të gjitha raportet mjekësor nga ana e QKUK-së.

“Zyrtarisht i kemi kërkuar të gjitha raportet mjekësore nga QKUK, me që dyshohet se atje ka vdekur”, është shprehur Jashari.

Vdekja e gruas shtatzënë nga Shtimja, flet për KALLXO Kryeprokurori i Ferizajt