Vdekja e dyshimtë në Prizren, flet mjeku i emergjencës

Një rast i vdekjes së dyshimtë është inicuar dje nga Policia e Kosovës.

Siç është bërë e ditur nga raporti policor, disa persona nga Prizreni po dyshojnë se një burrë që ka vdekur në spitalin e kësaj komune, nuk mori tretmanin e duhur mjekësor.

Në lidhje me rastin, KALLXO.com ka kontaktuar Spitalin Rajonal të Prizrenit.

Specialisti i emergjencës, Afrim Jaha ka thënë për KALLXO.com, se pacienti kur është pranuar në spital ka qenë në gjendje të rëndë.

Sipas Jahës, pas përkeqësimit të gjendjes, viktima është intubuar dhe janë marrë të gjitha masat reanimatore.

“Pacienti ka ardhë në gjendje të rëndë. Ka qenë dializë disa vite me dëmtime të funksionit terminal të veshkave. Pas keqësimit të gjendjes është intubuar dhe janë marrë të gjitha masat reanimatore. Për një  kohë është arritur të rikthehet puna e zemrës dhe pacienti është pranuar në Mjekimin Intensiv Qendror”, ka thënë Jaha për KALLXO.com.

Policia në Prizren ka konfirmuar për KALLXO.com se forcat e rendit po e hetojnë rastin.

Vdekje e dyshimtë në Prizren