Vdekja e dy fëmijëve në Milloshevë, flet kryetari i Obiliqit

Gjatë ditës së sotme kanë vdekur në mënyrë tragjike dy fëmijë në Milloshevë të Obiliqit, pasi kishin rënë në një gropë të mbushur me ujë.

KALLXO.com, ka biseduar me kryetarin e Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashin, në lidhje me vdekjen e dy fëmijëve që ka ndodhur sot.

Gashi ka thënë se janë bërë përpjekje që të shpëtohen dy fëmijët nga ekipet emergjente por kishin mbërritur me vonesë.

“Informacionin fillestar e kemi marrë prej policisë për tragjedinë që ka ndodh sot dhe i shprehim ngushëllime familjeve. Të gjitha njësit që janë të obliguara me qenë në vendngjarje kanë qenë prezente duke përfshirë edhe njësinë për shpëtim kërkim të FSK-së, pastaj edhe qendra e mjekësisë familjare në Obiliq, njësia e emergjencës e kanë dhënë maksimumin për me i shpëtu jetën e fëmijëve por, fatkeqësisht kanë mbërri me vonesë”, ka thënë Gashi.

I pari i Obiliqit, ka zbuluar për KALLXO.com, se pusi që duket si liqen artificial, ekziston prej vitit 2004.

I pyetur se a është bërë ky liqen nga nxjerrja e zhavorrit, ai ka thënë se nuk ka informata për këtë gjë.

“Prezent kanë qenë të gjitha njësitë e hetuesisë së policisë në vendngjarje, ne shpresojmë që ata të dalin me hetime preliminare. Unë personalisht nuk kam pasur ndonjë informacion që ekziston liqeni artificial aty, por si duket është që herët nga viti 2004, nëse nuk gaboj sipas disa informatave që i dëgjuam tash. Unë kesh te vendi i ngjarjes sot për herë të parë se nuk e kam ditë që ka diçka atje edhe këto gropat janë rreth lumit Llap, ka pasë edhe të tjera të kësaj natyre dhe nuk mund të them nëse në atë kohë ka nxjerrë dikush zhavorr apo nuk ka nxjerrë”, ka treguar Xhafer Gashi.

Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka konfirmuar se viktimat janë të moshës 9 dhe 11 vjeçare.

Tre fëmijë kishin shkuar që të laheshin në këtë pus, njofton PK.

“Sot më, 16.06.2020, rreth orës 15:00 Policia e Kosovës është njoftuar se në fshatin Milloshevë të komunës së Obiliqit, në një hapësirë me ujë, në formë të një liqeni të vogël artificial, me thellësi disa metra, tre fëmijë (dyshohet se kishin shkuar të laheshin) dhe dy nga ata, të moshës nëntë dhe njëmbëdhjetë  vjeçar, nuk kanë arritur të dilnin nga uji”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Njëri prej fëmijëve që kishte arritur të dalë nga pusi, kishte kërkuar ndihmë nga qytetarët e afërt nga edhe janë lajmëruar ekipet e emergjencës.

“Fëmija i tretë, me vrap ka shkuar dhe kërkuar ndihmë nga qytetarët më të afërt. Poashtu policia menjëherë ka dal në vendin e ngjarjes së bashku më ekipin mjekësor. Një qytetar ka arrit ta nxjerr nga uji njërin fëmijë. Qytetari dhe ekipi mjekësor i kanë ofruar ndihmën e parë fëmijës, por bazuar në  konstatimet e mjekëve trupi ishte pa shenja jete. Në vend-ngjarje janë ftuar edhe ekipi i kërkim-shpëtimit i FSK-së. Ata, pas një kërkimi, kanë arritur që rreth orës 17:10 ta gjejnë edhe trupin tjetër, i cili po ashtu bazuar në konstatimet e ekipeve mjekësore që ishin në vend-ngjarje ishte pa shenja jete. Në vend të ngjarjes ka dal prokurori dhe kryetari i Komunës së Obiliqit”, thuhet në njoftimin e PK-së.