Vdekja e 26-vjeçarit te konviktet, PSD kërkon dorëheqjen e ministrit Arben Vitia

Partia Socialdemokrate (PSD) ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, pas rastit tragjik që ndodhi në karantinën e vendosur në Qendrën e Studentëve.

PSD po ashtu ka kërkuar edhe heqjen e karantinës nga Qendra e Studentëve.

“Viktima e sotme ka qenë zyrtarisht nën përkujdesjen shtetërore. Është shteti që e ka mbyllur në karantinë, ai edhe duhet të përgjigjet. Ky do të ishte minimum që VV do të kërkonte në opozitë. Përgjegjësia politike kërkon dorëheqjen e menjëhershme të ministrit Vitia, për të parë shkeljet eventuale dhe implikimet që jep procesi hetimor pastaj”, thuhet në reagimin e PSD-së.

Gjithashtu kanë deklaruar se Kuvendi duhet sa më parë të vihet në veprim për t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm legjislativ për luftimin e pandemisë.

Kujtojmë se sot një 26-vjeçar nga komuna e Gjilanit dyshohet se ka rënë nga kati V i konviktit në Qendrën e  Studentëve, ku po qëndrojnë në karantinë të kthyerit nga diaspora dhe e njëjta menaxhohet nga Ministria e Shëndetësisë.

Kjo është komunikata e plotë e Partisë Socialdemokrate në Facebook

Të hiqet karantina në Qendrën e Studentëve, pandemia të luftohet pa e cënuar demokracinë

Një i ri 26 vjeçar ka gjetur vdekjen sot në karantinën e vendosur në Prishtinë. Shprehim ngushëllime dhe ndajmë dhimbjen me familjen e të ndjerit. 

Ky rasti tragjik në Qendrën e Studentëve që po shërben si zonë karantinimi duhet të shërbejë si mësim për organet shtetërore që po merren me menaxhimin e pandemisë. Tashmë kjo masë e ka humbur objektin. Rastet e ardhjeve nga jashtë nuk janë masive, kurse virusi veçse është në secilën komunë të Kosovës. Vetëizolimi në shtëpi duhet të jetë mundësi për rastet kur kemi simptoma. Karantina tashmë i ka më të rënda pasojat.

Lidhur me rastin e sotëm tragjik duhet të ketë hetim të pavarur, dhe e vërteta duhet të zbardhet shpejt. Nëse vërtetohen raportimet e mediave mbi problemet shëndetësore që i ndjeri i ka dokumentuar, atëherë kjo është përgjegjësi direkte e qeverisë. Ka gjithashtu shumë dëshmitarë që tregojnë për absurdin e kësaj mase. Lejimi i shumë personave brenda dhomës e humb efektin e izolimit, parregullsitë mbi vendosjen dhe lirimin prej saj duhet të jenë objekt hetimi poashtu.

Viktima e sotme ka qenë zyrtarisht nën përkujdesjen shtetërore. Është shteti që e ka mbyllur në karantinë, ai edhe duhet të përgjigjet. Ky do të ishte minimum që VV do të kërkonte në opozitë. Përgjegjësia politike kërkon dorëheqjen e menjëhershme të ministrit Vitia, për të parë shkeljet eventuale dhe implikimet që jep procesi hetimor pastaj.

Kuvendi duhet sa më parë të vihet në veprim për t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm legjistlativ për luftimin e pandemisë. Së pari, duhet bërë plotësim/ndryshimi i Ligjit për Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse, ashtu që të dalim nga gjendja kundërkushtetuese. Po ashtu, vendit i duhet rialokime buxhetore për shtresa të ndryshme shoqërore që pandemia i ka detyruar ta ndalin punën, kurse mbështetje financiare nuk kanë. Kosova tashmë është vonë në ndërmarrjen e masave ekonomike.