Ilustrim

Vdekja e 26 vjeçarit në karantinë, komuna i paralajmëroi problemet e mundshme psikike

Problemet e mundshme shëndetësore të Agon Musliut ishin paralajmëruar disa dhjetëra minuta para se ai të gjindej i vdekur në oborrin e karantinës në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

KALLXO.com ka zbuluar se Qendra Operative Emergjente e Gjilanit rreth 30 minuta para se të ndodhte ngjarja kishte kërkuar që viktima të vizitohet nga një mjek neuropsikiatër pasi kishte treguar shenja depresive.

Dokumenti që mban datën 3 maj ishte dërguar si email nga Gjilani për në Prishtinë në adresë të Qendrës Operative Emergjente në Ministrinë e Shëndetësisë.

Sipas dokumentacionit të siguruar nga KALLXO.com, emaili ishte kthyer 27 minuta më vonë dhe qendra kishte njoftuar se me informacionin ishte njoftuar qendra e karantinës.

Në ndërkohë incidenti kishte ndodhur në ora 17:30 dhe sipas raportit të Emergjencës, Agon Musliu ka vdekur në orën 17:45.

KALLXO.com ka siguruar edhe emailin e Komunës së Gjilanit që i kishte shkuar Qendrës Operative në orën 17:03 minuta ndërsa Qendra kishte kthyer përgjigje në orën 17:30.

“Agon Musliu në konviktin numër 7 nëse ka mundësi ju si shtab i emergjencave në Prishtinë të kontrollohet nga neuropsikiatri sepse është depresiv”, thuhet në kërkesën e Qendrës Operative Emergjente të Gjilanit të dërguar në orën 17:03.

“Sipas kërkesës së mëposhtme ju njoftomë se kemi përcjellë kërkesën me angazhim të ekipeve mjekësore në Karantinën e Qendrës së Studentëve”, është përgjigja që ka marrë QOE në Komunën e Gjilanit në orën 17:30.

Policia e Kosovës në një konfirmim për KALLXO.com kishte thënë se rreth orës 17:20, ekipet e Emergjencës dhe Policia kanë shkuar te Qendra e Studentëve dhe një person është përcjellë me autoambulancë në drejtim të Klinikës Emergjente.

Zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qendra e Studentëve nuk janë përgjigjur në thirrjet e KALLXO.com për ta sqaruar situatën.

Në një njoftim në Facebook, Ministria e Shëndetësisë ka thënë se Agon Musliu nuk ka treguar ndonjë shqetësim shëndetësor apo lloj të sëmundjes.

Madje e njëjta Ministri nuk ka treguar se Qendra Operative Emergjente në Prishtinë ka poseduar një kërkesë për kontroll të viktimës.

“Ministria e Shëndetësisë posedon raportet mjekësore të të ndjerit, të përpiluara nga mjekët në pritje që për shkaqe të etikës mjekësore dhe ruajtjes së privatësisë nuk do ta bëjë publik, ku gjatë marrjes së të dhënave anamnestike, në praninë e mjekut përgjegjës, me rastin e mbërritjes në Kosovë, i ndjeri nuk ka raportuar asnjë lloj sëmundjeve apo shqetësim shëndetësor”, thuhet në njoftimin e MSH-së.