Protesta e organizuar nga YIHR për solidarizimin me gratë në Iran/ Foto: Shkodrane Dakaj, KALLXO.COM

Vdekja e 22-vjeçares për mos mbajtje të duhur të shamisë, Kosova solidarizohet me Iranin

22-vjeçarja, Mahsa Amini dyshohet se u vra më 16 shtator 2022 nga Policia e moralit në Teheran të Iranit, për shkak se viktima dyshohet për mos mbajtje të duhur të shamisë.

Lidhur me këtë rast, me dhjetëra persona janë mbledhur sot në sheshin Skënderbeu me qëllim të solidarizimit me gratë në Iran, ku atje tashmë është java e katërt që janë krijuar trazira për rastin në fjalë, e që raportohet se dhjetëra persona kanë vdekur gjatë këtyre protestave.

Ndërsa, protesta në Kosovë u organizua nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, YIHR, të cilët thanë se nuk mund të jemi të lirë, nëse çdo i/e fundit prej nesh të jetë i/e lirë nga dhuna.

Ata thanë se komunitetet në mbarë botën po bashkohen për të dënuar akte të tilla mizore dhune dhe njëkohësisht për t’u solidarizuar me protestueset në Iran për liri.

“Sillni pankartat, tërbimin, solidaritetin dhe fuqinë tuaj për të qëndruar së bashku për gratë, për jetën dhe për lirinë” – thuhet në njoftimin e YIHR-së.

Po ashtu, nga YIHR është sjellë edhe ‘Tryeza e Kutisë së Flokëve’ ku protestuesit patën mundësinë që t’i prisni flokët si shenjë rezistence.

Tutje YIHR tha se gratë iraniane e filluan këtë formë rezistence si një mjet për të protestuar ndaj autoritarizmit dhe për të festuar autonominë dhe lirinë mbi trupin e tyre.

Në anën tjetër, Drejtoresha Ekzekutive e YIHR-së, Marigona Shabiu ka thënë se dënojnë aktet e dhunës ndaj vajzave dhe grave në Iran.

Ajo tha se mbledhja e tyre nën moton “Gru, Jetë, Liri” është për të ndjekur  hapat e rezistencës së grave iraniane.

Protesta e organizuar nga YIHR për solidarizimin me gratë në Iran/ Foto: Shkodrane Dakaj, KALLXO.COM
Protesta e organizuar nga YIHR për solidarizimin me gratë në Iran/ Foto: Shkodrane Dakaj, KALLXO.COM
Protesta e organizuar nga YIHR për solidarizimin me gratë në Iran/ Foto: Shkodrane Dakaj, KALLXO.COM
Protesta e organizuar nga YIHR për solidarizimin me gratë në Iran/ Foto: Shkodrane Dakaj, KALLXO.COM

22-vjeçarja iraniane dyshohet se ka vdekur disa ditë pasi u arrestua nga policia e moralit. Dëshmitarët okularë thanë se Mahsa Amini u rrah ndërsa ishte brenda një furgoni policie kur ajo u arrestua në Teheran.

Këto akuza janë mohuar nga Policia, të cilët kanë thënë se zonja Amini kishte “papritur një problem në zemër”.

Në anën tjetër, familja e zonjës Amini ka thënë se ajo ishte një grua e re e shëndetshme dhe pa ndonjë problem shëndetësor që do ta shpjegonin ndonjë problem të papritur të zemrës.

Megjithatë, ata u informuan se ajo ishte dërguar në spital disa orë pas arrestimit të saj dhe familja tha se ajo kishte qenë në gjendje koma përpara se të vdiste.

Policia e Teheranit ka deklaruar se zonja Amini ishte arrestuar për “justifikim dhe edukim” në lidhje me hixhabin, shaminë e cila është e detyrueshme për të gjitha gratë.

Pas këtij rasti, më 26 shtator 2022 u raportuar se të paktën 41 persona kanë vdekur në trazirat e shkaktuara pas vdekjes së 22-vjeçares.

Zyrtarisht u tha se të vdekurit janë kryesisht protestues, por duke përfshirë këtu edhe anëtarë të forcave të sigurisë.

Në anën tjetër, Grupi i të Drejtave të Njeriut në Iran kishte raportuar se numri i të vdekurve ishte më lartë, duke thënë se janë të paktën 57 të vdekur.