Zyrtarë të Policisë në një aksion - Foto: Policia e Shtetit (foto arkiv)

Vdekja e 22-vjeçares keniane në Tiranë, shoqërohen 6 persona në Polici

Katër banesa janë kontrolluar dhe 6 persona janë shoqëruar në stacione nga Policia e Shtetit për vdekjen e kenianes Joy Aoko, e cila punonte në një kazino në Tiranë.

Policia dhe Prokuroria në Shqipëri ka tash e nëntë muaj që janë vënë në aksion për zbardhjen e kësaj vdekje, që ndodhi në gusht të vitit 2022.

Euronews Albania mëson se mëngjesin e kësaj të shtune me vendim gjykate është ushtruar kontroll në 4 banesa, ndërsa janë marrë në pyetje 6 persona.

Shoferi i kazinosë R.B., ku punonte 22-vjeçarja, po ashtu është shoqëruar, ndërsa në pyetje është marrë dhe i vëllai.

Joy Aoko u gjet e rrëzuar nga kati i tretë i banesës ku jetonte me qira, pranë vilave gjermane.

Ajo shtrua në Spitalin e Traumës më 14 gusht 2022. 22-vjeçarja i mbijetoi fillimisht plagëve të marra, por një dëmtim në tru e la në gjendje vegjetative.

E reja nuk i mbijetoi dot dëmtimeve të marra, duke ndërruar jetë 6 muaj pas ngjarjes së rëndë.

Shoferi i kazinos ku ajo punonte ishte personi i fundit i cili takoi 22-vjeçaren keniane, e cila humbi jetën në rrethana të paqarta.

Gjatë shoqërimit shoferi 32-vjeçar ka mohuar të ketë pasur konflikte me vajzën keniane Joy Aoko.

Me vendim gjykate, policia ka ushtruar edhe kontroll në banesën e 32-vjeçarit në Tiranë.

Sipas informacioneve zyrtare nga policia pritet që 32-vjeçari të merret në pyetje dhe të japë një dëshmi të plotë para grupit hetimor si një ndër personat që ka pasur kontaktet e fundit me viktimën.

Po ashtu burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se pritet të rimerren në pyetje edhe persona të tjerë që kanë dijeni për ngjarjen.

Ndër personat që do të ripyeten janë shoqja e dhomës së të ndjerës dhe persona të tjerë që kanë patur kontakte me të./Euronews Albania