Vesel Krasniqi - Burimi i fotos FCB

Vazhdon zvarritja për shfuqizimin e udhëzimit administrativ për monopolin e naftës

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti dhe Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ende nuk janë dakorduar për shfuqizimin e udhëzimit administrativ që krijon monopol në fushën e kontrollit të naftës.

Hoti kishte paralajmëruar shfuqizimin e këtij udhëzimi që nga janari, mirëpo kjo gjë ende nuk ka ndodhur, ani pse ministrit Krasniqi i kishte dërguar dy kërkesa në të cilat i kërkonte shfuqizimin e udhëzimit në fjalë.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi në një prononcim për KALLXO.com ka thënë që ndaj kërkesës së Hotit kanë dërguar sqarimet e tyre, se pse nuk duhet të shfuqizohet udhëzimi i tillë.

“Udhëzimi administrativ nuk shfuqizohet sepse është në fuqi. Ne i kemi dërguar sqarime kryeministrit për këtë udhëzim. Ne kemi dhënë sqarimet tona te kryeministri dhe po presim sqarime prej tij pse do ta shfuqizojmë këtë udhëzim administrativ, ende nuk kemi pasur takim për këtë”, tha ministri Krasniqi.

Në anën tjetër Antigona Baxhaku- Idrizi, këshilltare politike e kryeministrit dhe drejtore e Zyrës për Komunikim me Publikun në Zyrën e Kryeministrit, për KALLXO.com tha se zyrat ligjore të të dy institucioneve janë duke u dakorduar për të shfuqizuar këtë udhëzim administrativ.

“Shumë shpejtë do të jetë një prej temave në takimin e qeverisë, për shkak që janë duke u zhvilluar takimet me zyrat ligjore. Nuk dihet data e saktë, varësisht sesi vijnë kërkesat hapet mbledhja online. Nuk është hedhur në votim deri tani për shkak që nuk janë kryer të gjitha konsultimet që është dashtë të kryhen përmes zyrës ligjore të qeverisë dhe MTI-së për të mos pasur mandej efekt anësor”, tha ajo.

Më 29 janar,  Hoti kishte thënë që udhëzimet që nuk janë në përputhje me ligjin do të shfuqizohen, duke përfshirë edhe këtë për monopolin e naftës.

“Për udhëzimin që e keni fjalën unë e kam me datë 11 janar të zyrës ligjore, që ai udhëzim administrativ nuk është në përputhje me ligjin dhe unë kam dërguar shkrese te ministri që të anulohet ky udhëzim. Afat ka pasur deri më 21 janar, meqenëse kjo nuk ka ndodhur, unë do e fus në rend të ditës në votim në qeveri”, pati paralajmëruar Hoti.

Që nga ajo kohë, kabineti qeveritar ka mbajtur 3 mbledhje dhe në asnjërën prej tyre nuk është hedhur në votim shfuqizimi i këtij udhëzimi administrativ.

KALLXO.com ka raportuar se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përmes Udhëzuesit Administrativ për Kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës e ka paraparë krijimin e një monopoli të ri.

Ky udhëzim administrativ ka paraparë që MTI-ja të kontraktojë një operator të vetëm për shënjimin (markimin) e karburanteve për një periudhë prej 5 viteve, me mundësi vazhdimi edhe për 5 vite të tjera.Kompania që do të ketë monopolin në shenjim/markim të naftës pritet të fitojë miliona euro brenda një viti.

Nëse MTI e kontrakton kompaninë për shënjim të karburanteve, siç është paraparë në Udhëzuesit Administrativ për Kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës, atëherë do të rritet çmimi i naftës pasi parashihet që për çdo litër të shënjuar të paguhet një në tarifë.

Avdullah Hoti ende nuk e shfuqizon udhëzimin që krijon monopol në tregun e naftës