Vazhdon vaksinimi i personave me sëmundje kronike në sallën "1 Tetori"

Vetëm gjatë ditës së sotme në sallën “1 Tetori” në Prishtinë janë vaksinuar 103 persona të moshuar të cilët kanë edhe sëmundje kronike.

Kështu ka njoftuar koordinatori i qendrës, Niman Bardhi. Ai tutje shtoi se në tri ditët e fundit janë vaksinuar 827 persona me sëmundje kronike.

Në total sipas Bardhit janë vaksinuar 1 mijë e 180 të moshuar.

“Sot është dita e tretë sa i përket personave me sëmundje kronike të grupmoshës 75 deri në 79 vjeç dhe deri në këto momente që po flasim kemi të vaksinuar 103 persona për dallim nga dy ditët e mëparshme kemi pasur fluks dhe numër më të madh të njerëzve”, tha Bardhi.

Ai tutje shtoi edhe se që nga data 8 prill kur është filluar edhe vaksinimi me grupmoshat mbi 85, 60 dhe 75 vjeç janë vaksinuar 2 mijë e 35 persona.

“Nëse i referohemi  vetëm pjesës së sëmurëve kronikë kemi 827 persona të vaksinuar, nëse i referohemi të moshuar deri më tani kemi pasur 1,180”, tha Bardhi.

I pyetur në lidhje me përfundimin e vaksinimit, Bardhi tha se kjo është çështje se sa do të ketë vaksina të siguruara për qytetarët e Kosovës.