Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vazhdon vaksinimi i personave mbi 75 vjeç me sëmundje kronike

Vaksinimi me “AstraZeneca” është duke vazhduar në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.

Menaxheri për vaksinim në këtë sallë, Niman Bardhi, në një përgjigje dhënë për KALLXO.com tregoi se 85 persona janë vaksinuar me vaksinën kundër COVID-19.

“Sot deri në ora 12:00 janë vaksinuar 85 persona, ku prej tyre ishin 2 profesionist shëndetësor, 16 të moshuar mbi 80 vjeç, 1 i sëmurë në dializë, dhe 66 persona mbi moshën 75 vjeç me sëmundje kronike”, tregoi Bardhi.

Aktualisht me “AstraZeneca” janë duke u vaksinuar grup mosha mbi 75 vjeç me sëmundje kronike, pacientët me dializë, grup mosha mbi 80 vjeç që akoma nuk janë vaksinuar dhe punonjësit shëndetësor.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, deri tash janë vaksinuar 16,132 qytetarë me vaksinën kundër coronavirusit.

Deri në fund të muajit maj Kosova pritet të furnizohet me 76, 800 vaksina anti- COVID nga COVAX, program ky nga i cili janë premtuar falas 100 mijë e 800 doza të vaksinës anti-COVID për Kosovën.

Kujtojmë se Kosova është furnizuar me 24 mijë vaksina kundër coronavirusit më 28 mars 2021 nga UNICEF.

Kosova deri në maj do të furnizohet edhe me 76 mijë e 800 doza të vaksinave