Konkursi për dy anëtarë të bordit të ZRRE-së

Vazhdon të jetë i hapur konkursi për dy anëtarë të bordit të ZRRE-së

Vazhdon të jetë i hapur konkursi për dy anëtarë të bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. Konkursi është hapur më 4 janar dhe do të jetë i hapur deri më 3 shkurt, në ora 16:00.

Ministria e Ekonomisë u ka bërë thirrje ekspertëve dhe profesionstëve të fushës së energjisë për të aplikuar në këtë konkurs.

Kandidati për anëtar të bordit duhet të jetë shtetas i Kosovës, me vendbanim të përhershëm në Kosovë;
të ketë diplomë universitare në fushën teknike, të ekonomisë apo të drejtësisë nga një institucion i akredituar i arsimit të lartë; të ketë së paku 10 vite përvojë pune në sektorin e energjisë; të mos ketë dosje të hapur të hetimeve apo dosje të mëhershme të dënimit për vepër penale apo të ushtrojë aktivitete që mund të vënë në dyshim sinqeritetin, integritetin apo kompetencën e tij.

Detyrat kryesore të Bordit të Rregullatorit përveç përgjegjësive të përcaktuara me Ligjin për Rregullatorin e Energjisë, janë: miraton politikat rregullative dhe operacionale të Rregullatorit; organizon dhe mbikëqyrë punën e Rregullatorit; mbikëqyrë zbatimin e buxhetit dhe menaxhimin financiar të Rregullatorit dhe miraton raportet dhe deklaratat financiare të saj; organizon procedurat e rekrutimit dhe mbikëqyrë punën e personelit të punësuar nga Rregullatori; miraton nivelet e kompensimit dhe kushtet tjera të punësimit, për të punësuarit e Rregullatorit; harton dhe miraton Kodin e Etikës Profesionale për anëtarët dhe personelin e Rregullatorit; harton dhe miraton akte nënligjore që janë të nevojshme për zbatimin e Ligjit për Rregullatorin e Energjisë.

“Ky proces rekrutimi do të monitorohet nga përfaqësues të Projektit Britanik për Emërime në Pozita të Larta Drejtuese” – njofton Ministria e Ekonomisë.

Kandidatët njoftohen që emrat, rezultatet dhe kualifikimi i kandidatëve me rangimin më të lartë në këtë garë si të emërueshem, do të publikohen në webfaqen e projektit dhe që me të aplikuar për këtë pozitë do të konsiderohet se është dhënë pëlqimi për publikim.

Rregullatori udhëhiqet nga bordi i tij, i përbërë prej 5 anëtarësh, njëri prej të cilëve zgjidhet kryesues. Kryesuesi dhe anëtarët e Bordit emërohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Mandati i secilit anëtar të bordit është pesëvjeçar, me mundësi emërimi edhe për një mandat tjetër në vazhdim.

Bordi i fundit i ZRRE-së është përbërë nga: Ymer Fejzullahu – kryesues dhe Gani Buçaj, Lutfije Dervishi, Izet Rushiti, Selman Hoti. Këtyre dy të fundit, të cilët janë emëruar në bord në vitin 2018, u ka skaduar mandati 5-vjeçar. Për këto dy pozita është hapur konkursi. Fejzullahu, Buçaj dhe Dervishi janë emëruar në bordin e ZRRE-së në gusht të vitit 2021.

Në mars të vitit 2018, bordi i  Zyrës së Rregullatorit të Energjisë u plotësua me dy anëtarë, të cilët nuk i plotësonin kushtet për të kryer këtë detyrë. Kuvendi i Kosovës kishte votuar emërimin e Selman Hotit dhe Izet Rushitit si anëtarë të bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. Të dy, Hoti dhe Rushiti ishin vlerësuar me pikë minimale krahasuar me katër kandidatët e tjerë nga komisioni vlerësues në të cilin bënte pjesë edhe partneri i Ambasadës Britanike.

KËTU mund t’i gjeni detajet e konkursit.