Vazhdon ‘sulmi’ ndaj autobusëve në Prishtinë, këtë herë me vezë

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka reaguar ndaj gjuajtjes me vezë ndaj një autobusi lokal sot në Prishtinë.

Ahmeti ka bërë thirrje që të ndalohen dëmtimet e autobusëve, ndërsa ka bërë të ditur se policia në kryeqytet është duke patrulluar, për të identifikuar këto raste.

“Vazhdon gjuajtja me vezë e autobusëve edhe sot. Halloween ka përfunduar. Ju lutem mos i dëmtoni autobusët. Policia është në patrullim dhe çdo rast do të lajmërohet”, ka shkruar kryetari i Prishtinës.

Mbrëmë gjatë festës së ‘Halloween’ një autobus i Trafikut Urban u dëmtua nga persona të panjohur deri më tani, duke ia thyer xhamat.

Kurse policia njoftoi për rastin, duke thënë se është duke u trajtuar.

“Rreth orës 20: 00 kemi pranuar informatën për dëmtimin e një autobusi, derisa ishte në lëvizje në rrugën ‘Enver Maloku’ në Prishtinë“, kishte  thënë zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, duke bërë të ditur se nuk kishte persona të lënduar.

Dëmtohen automjetet gjatë festës së Halloween-it

.