Vazhdon sekuestrimi i objekteve në Brezovicë

Po vazhdon edhe sot sekuestrimi i villave dhe disa objekteve të ndërtuara në zonën e Brezovicës, aksion ky i nisur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj.

“Raportet e pranuara lidhur me këtë rast nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë dhe nga Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Departamenti për Menaxhim i AMMK-së, vërtetojnë se në këtë zonë, janë të ndërtuara rreth njëqind (100) objekte në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” nr.04/L-087 si dhe Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri” të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sekuestrimi i objekteve të ndërtuara në Parkun Kombëtar “Sharri” ka nisur dje.

Dosja Brezovica deri më tani ka dërguar në burg mbi 30 persona përfshirë zyrtarë të lartë shtetërorë përgjegjës për ndërtimin e mbi 500 vilave dhe hoteleve në zonën e mbrojtura të maleve të Sharrit. Dosja ngrit dyshime për një aferë ku besohet të jenë kërkuar mbi 20 milionë euro mito nga zyrtarë e kompani të ndryshme të ndërtimit.