Vazhdon rinumërimi, ky është numri i kutive të numëruara deri më tani

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon rinumërimi i 1 mijë e 407 vendvotimeve.

Deri në këtë kohë janë rinumëruar 573 vendvotime ndërsa janë në proces 33 te tjera. Gjithësej 606 vendvotime.

Gjithashtu, në QNR aktualisht partitë politike kanë edhe vëzhguesit e tyre.

Partia Demokratike e Kosovës i ka 6 vëzhgues, Lidhja Demokratike e Kosovës 16 ndërsa Lëvizja Vetëvendosje 32 vëzhgues.

Koalicioni AAK-PSD nuk ka asnjë vëzhgues ndërsa koalicioni tjetër NISMA-AKR-PD i ka 24 vëzhgues. Edhe Lista Serbe i ka dërguar 2 vëzhgues në QNR.

Ky rinumërim ka nisur të mërkurën pasdite pas vendimit të Paneli për Ankesa dhe Parashtresa.

Ditë më parë, KQZ njoftoi se QNR ka shtuar numrin e tavolinave në të cilat bëhet rinumërimi i votave ndërsa, për këtë proces tha se janë njoftuar edhe partitë politike.

“Qendra e Numërimit dhe Rezultateve do të punojë në 2 ndërrime si dhe është shtuar numri i tavolinave apo njësive të numërimit nga 23 në 32, në mënyrë që të arrijmë që sa më shpejt të përmbyllim të gjithë këtë proces. Për të vëzhguar procesin e rinumërimit janë njoftuar edhe subjektet politike, të cilat mund të dërgojnë nga 1 vëzhgues për secilën njësi numërimi”, pati thënë Elezi.

KQZ ka shpallur rezultatet përfundimtare një ditë e një muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 6 tetor.

Sipas këtyre rezultateve, forca politike më e madhe në vend doli Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit me 32 deputetë që u pasua nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 29 deputetë.

Por, një ankesë e koalicionit NISMA-AKR-PD në adresë të PZAP-së, ndërroi numrin e ulëseve të partive politike në Parlament, pasi vendimi i këtij institucioni obligoi KQZ-në që mbi 3 mijë vota të ardhura nga Serbia të hiqen nga rezultatet përfundimtare.

Ndaj këtij vendimi të PZAP-së, tre kandidatë për deputetë të LVV-së janë ankuar në Gjykatën Supreme e cila ka refuzuar.

Këto janë arsyet e Gjykatës Supreme kundër pranimit të votave nga Serbia

www.kallxo.com