Vazhdon rënia e numrit të nxënësve, kërkohen masa për strukturimin e shkollave

Rreth 12 mijë nxënës më pak janë ulur në bankat shkollore në nivele të ndryshme të arsimit parauniversitar në Kosovë në vitin 2019 krahasuar me vitin paraprak.

Të dhënat zyrtare tregojnë se nga 354 mijë e 454 nxënës që ishin në vitin shkollor 2017/2018, në vitin e fundit shkollor u numëruan 342 mijë e 352 nxënës.

Trend të rënies së numrit të nxënësve ka pasur edhe në vitet paraprake. Në vitin shkollor 2016/2017 në arsimin parauniversitar ishin 360 mijë e 237 nxënës. Nga këto shifra i bie që numri i nxënësve ka rënë për 17 mijë e 885 në dy vitet e fundit.

Ndërsa në periudhë më të gjatë kohore, përkatësisht në 10 vitet e fundit i bie që numri i nxënësve ka rënë deri në 91 mijë më pak.

Rënia e natalitetit, migrimi në vende të tjera dhe migrimi i brendshëm po shihen si shkaktar të këtij trendi të rënies së numrit të nxënësve.

Përderisa rajonet e ndryshme të vendit po përballen me shkolla të stërmbushura në qytete dhe të zbrazura në fshatra në të njëjtën kohë, sipas ekspertëve me këtë trend të rënies së numrit të nxënësve, në të ardhmen parashihen probleme edhe me akomodimin e numrit të mësimdhënësve që nuk ka lëvizur në përpjesëtim të drejtë me nxënësit. Situata aktuale, sipas ekspertëve, kërkon ristrukturimin e shkollimit parauniversitar shkollor.

Ministria e Arsimit thotë se rënia e numrit të nxënësve është më e vogël se sa që e tregojnë statistikat. Ata thirren në vendimin e ministrisë për largimin e klasës së 13-të në vitin shkollor 2014/2015.

“Në vitin shkollor 2014-2015 MASHTI, ka zhvilluar reformë arsimore ku klasa e 13 është hequr dhe si pasojë, numri i nxënësve është zvogëluar dukshëm”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Të dhënat afatgjate për numrin e personelit arsimor janë të publikuara në mënyrë të paqartë ndër vite. Megjithatë nga ajo që është parë në shifrat e viteve të fundit shkollore nga viti 2017/2018 kur ishin 5 mijë e 280 mësimdhënës në vitin 2018/2019 ishin 5 mijë e 261.

Viti Shkollor Numri i nxënësve
2010/2011 433,916
2011/2012 427,498
2012/2013 424,305
2013/2014 408,146
2014/2015 388,351
2015/2016 367,940
2016/2017 360,237
2017/2018 354,454
2018/2019 342,352

Ekspertët: MAShTI duhet të përshtat politikat arsimore me numrin e nxënësve

Një strategji për përshtatjen e sistemit aktual arsimor me trendin e rënies së numrit të nxënësve po shihet si urgjencë nga ekspertë të fushës së arsimit.

Ndonëse arsyet për rënie të numrit të nxënësve janë të ndryshme, Dukagjin Pupovci, Drejtor i Qendrës Kosovare për Edukim dhe njohës i fushës thotë se nuk duhet të pritet trend me ngritje as në vitet e ardhshme.

“Duhet t’i përshtatemi kësaj situate në mënyrën më të mirë të mundshme”-deklaron ai- “duke analizuar rrjetin e shkollave në Kosovë, e sidomos mundësinë e mbylljes së shkollave të vogla dhe paraleleve të kombinuara në ato zona ku ka mundësi transporti”.

Sipas Pupovcit kjo duhet bërë për të krijuar ambient më social për nxënësit.

Ai shton se duhet analizuar nevoja për mësues në secilën zonë për të mos punësuar personel të panevojshëm.

“Nuk mendoj se njerëzit duhet të largohen nga puna për shkak se është zvogëluar numri i nxënësve, por është fakt se çdo vit pensionohen 500-600 mësimdhënës dhe nuk është e thënë që ata të zëvendësohen aty ku nuk ka nevojë. Kjo do të bënte të mundur që buxheti i shtetit të shfrytëzohet për qëllime të tjera, qoftë për pajisje të shkollave ose punësim të profesionistëve siç janë psikologët, pedagogët e të tjerë, që do të kishte ndikim pozitiv në cilësinë e arsimit”, shpjegon ai.

Rënien e numrit të nxënësve nuk e sheh si risi as Rinor Qehaja nga instituti “EdGuard”, i cili deklaron se institucionet do duhej të ishin të përgatitur për këtë trend.

“Rënia e numrit të nxënësve paraqet trend statistikor tashmë të parashikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, pra, nuk paraqet risi, por një fakt të anashkaluar nga institucionet. Si të tillë, investimet infrastrukturore, punësimet, e shumëçka tjetër janë të sh-përputhje me trendin e numrit të nxënësve”, thotë ai.

Ai gjithashtu vuri alarm për mënyrën e punësimit të mësimdhënësve, që sipas tij, në komuna po bëhet për shkak të votave dhe jo nevojës.

Qehaja po ashtu i bën thirrje qeverisë që të punojë seriozisht në evitimin e dëmeve buxhetore për shkak të mungesës së strategjisë karshi këtij trendi.

“Është e domosdoshme që MASHT të trajtojnë dhe të konsiderojnë trendët e numrit të nxënësve në çfarëdo politike apo investimi në arsim. Shpresoj shumë që kjo të jetë objektive e qeverisjes së re po ashtu. Është i pa tolerueshme dëmi ndaj buxhetit nga kjo neglizhence. MASHT ende nuk ka statistika të mirëfillta dhe mire organizuara për të gjitha nivelet e arsimit në vend, prandaj kjo duhet të jetë pikënisje e trajtimit dhe reagimit ndaj këtij problemi”, përfundon Qehaja.

Problemin megjithatë e pranon edhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Ata zotohen se po punojnë për të reaguar ndaj këtij problem.

“Ministria e Arsimit ka hartuar një Draft-Udhëzim Administrativ i cili është në procedura të miratimit, ku parashihet themelimi i institucioneve arsimore dhe pushimi i veprimtarisë së institucioneve arsimore. MAShTI do të hartojë edhe një Strategji nacionale sa i përket ndryshimit të strukturës demografike në nivel vendi dhe në përputhje me këto ndryshime të përshtatet organizimi i shkollave dhe i procesit mësimor”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Shembulli lokal i reformës në arsim

Së paku 13 shkolla janë mbyllur në katër vitet e fundit në Kosovë. Ndërsa shkolla të tjera në Kosovë po funksionojnë me më pak se 10 nxënës.

Megjithatë, Qëndron Kastrati, kryetar i Komunës së Kamenicës është i vetmi që ka nisur reformë për të luftuar problematikën e shpërndarjes së parregullt të nxënësve nëpër shkolla.

Reforma në arsim e Kastratit hasi në rezistencë të madhe dhe u kundërshtua nga qytetarët e asaj ane, por edhe nga Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë.

Kastrati këtë ide e ka quajtur reformë në arsim dhe pretendon që me këtë vendim të zvogëlojë numrin e shkollave, t’i socializojë nxënësit dhe të organizojë transport për ta, në mënyrë që të ketë një kosto më të vogël.

Nga nisja e kësaj reforme në Kamenicë deri më tani janë mbyllur 6 shkolla, ndërsa janë paralajmëruar të mbyllen 19 shkolla.

23 prindër nga Kamenica janë paditur nga komuna për shkak se tash e 6 javë kanë refuzuar të dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla.

Kastrati e ka quajtur këtë reformë të domosdoshme ndërsa ka shprehur pakënaqësi me sabotazhin që sipas tij i është bërë edhe nga zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës e Teknologjisë. Kastrati ka dorëzuar kallëzim penal ndaj Drejtorit të Departamentit për Arsim Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Alush Istogu, pasi sipas tij po e pengon zbatimin e reformës. Këto akuza i ka mohuar Istogu.

Megjithatë me ardhjen e qeverisë së re, Kastrati ka diskutuar me ministren Hykmete Bajrami lidhur me çështjen e reformës.

Problemet me revoltën e prindërve që nuk po i dërgojnë fëmijët në shkollë kanë detyruar Qëndron Kastratin që përkohësisht ta pezullojë fazën e dytë te reformës me dy shkolla të kësaj komune.

Revolta ndaj reformës në arsim lë nxënësit pa mësim në Kamenicë

 

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!