Vazhdon problemi me vonesat e pagave për punëtorët e Postës së Kosovës
Punëtorët e Postës së Kosovës vazhdojnë të përballen me problemin e njëjtë, sikur edhe disa muaj më parë – vonesën e pagave.
Disa punëtorë të Postës janë ankuar në KALLXO.com që edhe pse ka kaluar afati i paraparë me kontratë ende nuk u ka dalë paga e muajit ndërsa tregojnë se nuk po arrijnë të kryejnë edhe obligime të tjera ligjore.
Disa punëtorë të Postës janë ankuar në KALLXO.com se edhe pse ka kaluar afati i paraparë me kontratë ende nuk u ka dalë paga e muajit.
Ata tregojnë se kjo po u shkakton probleme në kryerjen e obligimeve me pagesa që i kanë.
Se disa punëtorë po kanë telashe me vonesën e pagës e pranon edhe ushtruesja e detyrës së kryeshefes së Postës së Kosovës, Fakete Kadiu.
“Si zakonisht një pjesë e punonjësve i ka marrë pagat më datën 3 dhjetor, për pjesën tjetër jemi duke u angazhuar t’i procedojmë në ditët në vijim”, tha Kadiu për KALLXO.com deri sa shtoi se janë duke punuar për ta tejkaluar këtë problematikë.
Ajo tha se këtë problem po mundohen ta tejkalojnë me ngritje të përgjegjësive dhe cilësive në ofrim të shërbimeve dhe zgjerimit të numrave dhe llojit të shërbimeve.
KALLXO.com në tetor të këtij viti ka raportuar se sipas N.P. Posta e Kosovës, vonesat në paga janë për shkak të pamundësisë së inkasimit të humbjeve nga ofrimi i Shërbimit Universal Postar, si dhe borxhet e akumuluara të Telekomit të Kosovës ndaj kësaj ndërmarrje.
Ankesat e punëtorëve për vonesat në paga, Posta e Kosovës tregon arsyet