Vazhdon ‘përplasja’ PDK – AAK, Ganimete Musliu i reagon Haradinajt

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, i ka reaguar liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, pasi ai dje tha se “disa eksponentë të PDK janë çu peshë kundër fondit të Ushtrisë”.

Sot, Musliu tha se ‘disa eksponentë të AAK-së patën gabuar rëndë’, kur ishin bashkë në një kohë me Albin Kurtin.

“Disa eksponent të AAK-së patën gabuar rëndë kur iu bashkuan Albin Kurtit me filikaqa në degjenerim të Parlamentit, bëjnë  mirë mos t’i bashkohen edhe në  degjenerim të ushtrisë së Kosovës”, ka shkruar Musliu.

Sipa saj, financimi i ushtrisë duhet të bëhet me ligj.

“Kosova është SHTET e jo OJQ. Financimi i Ushtrisë duhet të mbështet në ligj e jo në lëmosh.  E duam ushtrinë me standarde të NATO-s STOP EKSPERIMENTEVE ME USHTRINË!”, ka shkruar Musliu më tej.

Dje, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit nga Partia Demokratike e Kosovës, Hisen Berisha lidhur me Fondin e Sigurisë së Kosovës. Berisha ka thënë se nuk është e sigurt prejardhja e mjeteve dhe se ushtria duhet të financohet nga buxheti i shtetit. Ai ka shtuar se ky fond sipas tij është ilegal.

Haradinaj në reagimin e tij në Facebook ka thënë se nuk po e kupton se përse PDK është kundër fondit të ushtrisë.

Haradinaj hap front të ri me PDK-në: Çka po ju pengon ‘Fondi i Ushtrisë’?

 

Në mars të këtj viti, Kryeministri Albin Kurti kishte njoftuar se është marrë vendim për themelimin e Fondit të Sigurisë së Kosovës.

Kryeministri ka thënë se mjetet e mbledhura financiare synohet të përdoren në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës që pritet të miratohet nga Qeveria.