Vazhdon hendeku gjinor në pozitat vendimarrëse në komuna

Përfaqësimi i barabartë gjinor në instuticionet e vendit tonë po vazhdon të jetë një sfidë, përkundër se kjo është rregulluar me Ligjin për Barazi Gjinore.

Momentalisht, në nivelin lokal, gratë vazhdojnë  të mbeten të nën-përfaqësuara në pozita vendimmarrëse.

Sipas të dhënave të MAPL-së, aktualisht 38 kryetarët e komunave të Kosovës janë burra, ndërsa nga 38 kryesues të kuvendeve komunale, 32 janë burra dhe vetëm 6 janë gra.

Në bazë të këtyre të dhënave të përditësuara, në 38 komuna janë emëruar drejtoret e drejtorive komunale apo gjithsejtë 372 drejtorë, 79 prej të cilave janë të udhëhequra nga gratë, ndërsa 293  nga burrat.

Sipas ligjit, përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë përqind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse.

Hulumtimi i BIRN në nëntor të  vitit 2018 ka shpërfaqur se  në vendin tonë më pak se 20 për qind e drejtorive komunale në Kosovë udhëhiqen nga gratë.

Edhe në gjysmën e mandatit të udhëheqësive komunale, kjo gjendje po vazhdon të jetë thuajse e njëjtë.

Përkundër faktit se Agjencia për Barazi Gjinore, Ministria e Administrimit të Pushtetit dhe Institucioni i Avokatit të Popullit në vazhdimësi  kanë bërë thirrje publike kryetarëve të zgjedhur të komunave të Kosovës, për të respektuar Ligjin për barazi gjinore, me theks mundësitë e barabarta dhe përfaqësimin e barabartë gjinor, kjo nuk ka ndodhur në praktikë.

Për mosrespektim të këtij ligji, MAPL në vitin 2018 kishte paditur pesë komuna të Kosovës, për arsye se nuk kanë respektuar urdhërat e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, gjatë procedurës së emërimit të anëtarëve të Komitetit për Politikë dhe Financa.

Prishtina, Vushtrria, Dragashi, Malisheva dhe Deçani janë komunat të cilat janë paditur  për shkak të procedurës së emërimit të anëtarëve të Komitetit për Politikë dhe Financa.

Në një përgjigje për KALLXO.com, MAPL ka bërë të ditur se për mosrespektim të këtij ligji, janë proceduar gjithsej shtatë kërkesa në gjykatë.

 “Ligji për Barazi Gjinore garanton një përfaqësim 50-50, por që mund të them që realizimi i këtij ligji në praktikë mbetet sfidues. Për mos respektim të ligjit nga ana e komunave, MAPL, ka proceduar 7 kërkesa në gjykatën kompetente, ndërsa nga lëndët e proceduar ende nuk kemi vendime të gjykatës”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së.

MAPL ka bërë të ditur se krahas mekanizmave të mbikëqyrjes të cilët janë aplikuar nga MAPL, barazia gjinore është vendosur edhe si fushë e veçantë brenda Sistemit të menaxhimit të performancës komunale.

“Përmes këtij Sistemi, janë përcaktuar tregues të qartë për komunat në këtë fushë, duke marrë për bazë kriteret e parapara në bazë të ligjit për barazi gjinore. Për çdo vit, sistemi i matjes së performancës ka paraqitur të dhëna rreth progresit të komunave në këtë fushë dhe nivelit të zbatimit të standardeve gjinore”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së.

Sipas këtyre të dhënave, të vitit 2018, kur edhe është bërë matja e fundit përmes Sistemit të performances, përqindja e të punësuarve në institucionet komunale sipas përkatësisë gjinore është  42.19%, pjesëmarrja e grave në takimet publike të organizuara nga komuna është shprehur në nivelin prej 32,56%, ndërsa emërimi i grave në pozita politike në komunë, në nivelin 21.96%.

 Sipas MAPL-së, Komuna e Gllogocit, Kllokotit dhe Kamenicës janë komunat e vetme të cilat kanë emëruar 50% në këto pozita femra. 

Pra, sipas të dhënave të MAPL-së, gratë e përfaqësuara në pozita vendimarrëse në përqindje janë 21.00%, një rritje e ndjeshme nga viti 2018 kur ishte më pak se 20 për qind.

Përveç komunave të paditura për mosrespektim të këtij ligji, MAPL duke marrë parasysh nevojën për ngritje të përfaqësimit të grave, sidomos në pozita vendimmarrëse politike në komunë, ka ngritur edhe një mekanizëm stimulimi, përmes krijimit të fondit të veçantë për barazi gjinore, si pjesë e fondit stimulues të performancës.

“Në vitin 2019, ministria në kuadër të shpërblimit të komunave për performancë, ka ndarë 200 mijë euro për komunat me performancë më të mirë në treguesit e barazisë gjinore. Kjo shumë i është nda katër komunave: Gllogoc, Mitrovicë e Veriut, Kllokot dhe Kamenicë”, thuhet në përgjigjen e MAPL-s.

 Në kuadër të kësaj iniciative, serinë e debateve komunale të emisionit televiziv “Jeta në Kosovë” – “Debat Pernime” në dy raundet e zgjedhjeve lokale të 22 tetorit dhe 19 nëntorit të vitit 2017 , kandidatëve për kryetar komune u është bërë pyetja se sa do të jetë përfaqësimi gjinor në ekipet e tyre qeverisëse.

Premtimet e tashmë kryetarëve të zgjedhur janë matur me “Krypometër”, verifikuesin e vetëm të fakteve në Kosovë, të certifikuar ndërkombëtarisht.

Kryerari i Komunës së Ferizaj i cili kishte kishte premtuar se tri gra do të emëroj në krye të drejtorive, me marrjen e mandatit I kishte emëruar ato, por që numri i tyre që nga marrja e mandatit nuk është rritur pasi që ende vetëm tri gra vazhdojnë të jenë në krye të drejtorive në Ferizaj.

Nga hulumtimi i BIRN-it I bërë në vitin 2018, është venë në pah se Komuna e Drenasit, nga 10 drejtori sa janë në këtë komunë, vetëm 5 udhëhiqen nga gratë.

Kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci në ‘Debat Pernime’, pati premtuar që në ekipin e tij do të jenë 5 drejtoresha të cilat do të udhëheqin me drejtoritë e kësaj komune dhe i njëjti e ka mbajtur premtimin.

Ndërsa, tani Komuna e Drenasit në krye të drejtorive ka gjithsej gjashtë gra, duke u bërë kështu njëra nga komunat e cila ka respektuar Ligjin për Barazi Gjinore, pasi nga 10 drejtori sa janë në këtë Komunë, 6 udhëhiqen nga gratë.

Komuna e dytë shembull për respektimin e ligjit për baraza gjinore është Komuna e Kamenicës, kjo pasi që nga 11 drejtori sa ka kjo Komunë, 6 udhëhiqen nga gratë.

Edhe Kryetari i Komunës së Kamenicës Qëndron Kastrati pati premtuar që do ta respektoj Ligjin për Barazi Gjinore.

“Synojmë që mbi 50 për qind të jenë gra”, ka qenë përgjigja e Qëndron Kastratit në debatin për Komunën e Kamenicës.

Ai ka respektuar Ligjin për Barazi Gjinore, pasi 6 nga 11 drejtori të kësaj komune udhëhiqen nga gratë.

Për dallim nga këto dy komuna, Komuna e Dragashit nuk e ka asnjë grua në krye të ndonjë drejtorie të kësaj komune.

 Edhe komuna e Deçanit vazhdon që vetëm një grua ta ketë në krye të drejtorive.

Kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj në debatin për komunën e Deçanit ka premtuar se “dy drejtori të udhëhequra nga gratë janë të sigurta në mandatin e tij”, kishte thënë Ramosaj por i njëjti një premtim të tillë nuk e ka mbajtur.

Njëjtë qëndron edhe Komuna e Istogut, nga 11 drejtori sa ka kjo komunë, vetëm një udhëhiqet nga një grua.

Me vetëm një grua në krye të udhëheqësisë së një drejtorie në komunë, është edhe komuna e Klinës dhe Kaçanikut.

Kryetari i kësaj komune, Zenun Elezaj pati premtuar se nëse zgjedhet kryetar, ekipi i tij do të ketë tri e më shumë gra drejtoresha.

“Edhe unë premtoj tri drejtori e më tepër”, pati potencuar Elezaj, por nga 10 drejtori të kësaj komune, vetëm një udhëhiqet nga një drejtoreshë grua.

Në situatë të njëjtë është edhe Komuna e Podujevës, e cila ndonëse është e përbërë nga 11 drejtori vetëm një prej tyre i është besuar një gruaje.

Edhe Komuna e Prizrenit ndonëse është e përbërë nga 13 drejtori, vetëm me njërën prej drejtorive të kësaj komune, udhëheq një grua.

Me nga një grua në krye të drejtorive janë edhe Komuna e Vitisë, Prizrenit dhe ajo e  Malishevës.

Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha kishte premtuar se do të emëroj katër gra në krye të drejtorive, ndërsa nga 11 drejtori sa ka kjo komunë vetëm dy prej tyre udhëhiqen aktualisht nga gratë.

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, nuk kishte premtuar numër të saktë të grave që do të emëroj në drejtoritë e komunës, por aktualisht në këtë komunë,sipas të dhënave të MAPL-së, tri drejtori udhëhiqen nga gratë, nga gjithësej 12 drejtori.

As komuna e Gjilanit nuk qëndron mirë me emërimin e grave në pozita udhëheqëse, pasi që nga gjithësej 13 drejtori, vetëm dy prej tyre udhëhiqen nga gratë.

Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma nuk kishte premtuar se sa gra do të emëroj në krye të drejtorive, por nga 8 drejtori sa ka kjo komunë, dy prej tyre udhëhiqen nga gratë.

Njëjti kishte vepruar edhe kryetari i Komunës së Junikut, Agron Kuçi, i cili ka emëruar dy gra në krye të drejtorive, nga gjithësej shtatë drejtori.

Me katër gra si drejtoresha të drejtorive në Komunë është Komuna e Lipjanit, nga gjithësej 13 drejtori që ka kjo komunë.

Me vetëm dy gra në krye të drejtorive fuksionojnë edhe Komuna e Shtimes, Skenderajt, Vushtrrisë dhe ajo e Rahovecit, ndërsa me një grua më shumë në udhëheqje është Komuna e Suharekës.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, kishte premtuar se me marrjen e mandatit do të emëroj 2 ose 3 gra në krye të drejtorive, por i njëjti ka emëruar vetëm një grua, nga gjithësej 11 drejtori.

Ndërsa, Agim Bahtiri, kryetari i Komunës së Mitrovicës në “Debat Pernime”, kishte premtuar se gjashtë drejtori do të drejtohen nga gratë, por aktualisht vetëm dy prej tyre drejtohen nga gratë.

Vetëm dy gra drejtojnë drejtoritë edhe në Komunën e Obiliqit përkundër faktit se kryetari i kësaj komunë, Xhafer Gashi kishte premtuar se 50% prej tyre do të udhëhiqen nga gratë.

Nga 14 drejtori sa ka Komuna e Pejës, kryetari i kësaj komune, Gazmend Muhaxheri, vetëm tri prej tyre ka vendosur që të emëroj gratë në udhëheqje.

Ndërsa, në kryeqytet, Shpend Ahmeti kishte premtuar se gjysma e drejtorive do të udhëhiqen nga gratë,ndërsa aktualisht nga 16 drejtori vetëm tri udhëhiqen nga gratë.

Sipas Raportit të Progresit për vitin 2019, gjendja në komuna sa i përket barazisë gjinore nuk është e kënaqshme, por që ky raport shpjegon se bazuar në përpjekjet nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kanë çuar në disa përmirësime.

“Përqindja e pozitave të drejtorëve në organet ekzekutive komunale të mbajtura nga gratë është rritur nga 11% në 19%. Në 31 nga 38 komunat, pozitat e paguara të komisioneve të kuvendeve të komunës përfshijnë një numër të barabartë të grave dhe burrave, siç kërkohet me Ligjin për Barazi Gjinore”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së.

BIRN dhe Interneës Kosova në vazhdimësi kanë paraqitur nevojën edhe për ndryshimin dhe harmonizimin e legjislacionit aktual i cili ndikon në të drejtën e grave në pronë, duke qenë pjesë aktive me dhënien e rekomandimeve për projektligjet për trashëgiminë, noterinë dhe procedurën jo kontestimore.

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).