Vazhdon greva në ATK, qytetarët kthehen pa marrë shërbime

Greva tri orëshe e mbajtur sot në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), ka bërë që shumë qytetarë të kthehen pa marrë shërbime nga institucion.

Fahrije Zeqiri, një qytetare që shkoi për shërbime në ATK u kthye pa dokumentin e kërkuar, kjo pasi që punëtorët e ATK-së ishin në grevë.

“Jam kontabiliste dhe kam ardhë në ATK me marrë një vërtetim për tatim pagues dhe veç më thanë në grevë jemi”, ka thënë Zeqiri.

I njëjti rasti i ka ndodhur edhe Ramadan Munishit i cili kishte shkuar të marrë një vërtetim për tatim pagues.

“Unë e kam terminin për vizë në ora 11:00 dhe nuk mundem me shku pa vërtetimin e tatim paguesit”, ka deklaruar Munishi.

Punëtorët e Administratës Tatimore të Kosovës kanë mbajtur grevë 3 orëshe. Arsyeja se përse u mbajt kjo grevë është  mos plotësimi i kërkesave të cilat disa herë i kanë dërguar me shkrim në Ministrinë e Financave por, nuk kanë marrë përgjigje.

Greva ishte vazhdim i asaj që u mbajt në maj, ku e njëjta ishte pezulluar për shkak të procedurave me afat 30 ditor që iu ishte dhënë Ministrisë për plotësimin e kushteve.

Punëtorët e ATK-së, kanë tri kërkesa për të cilat kërkojnë që t`u përmbushen nga Ministria e Financave, ata kërkojnë krijimin e kushteve të punës, propozim ndryshimi të statusit të Administratës Tatimore të Kosovës dhe kompenzimet tjera të shpenzimeve.

 

Punëtoret e ATK nesër pritet të hyjnë në grevë, thonë se nuk u përmbushën kërkesat e tyre