Vazhdon greva e punëtoreve që mirëmbajnë Kuvendin, paralajmërohet ndërprerja e kontratës me kompaninë
Pas grevës së nisur që një javë të punëtoreve që mirëmbajnë hapësirat e Kuvendit të Kosovës për shkak të kushteve të punës, në këtë të fundit u mbajt një takim më 20.09.2024.
Përfaqësueset e grevisteve dhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, u takuan me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevcin dhe këshilltarin e kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, Ilir Kërçelin.
Pas këtij takimi u paralajmëruar shkëputja e kontratës se legjislacionit me kompaninë që angazhon punëtoret – “Schafberger”. KALLXO.com nuk ka arritur që të marrë një përgjigje nga kompania tash e disa javë.
Megjithkëtë u tha se deri në shkëputje të kontratës, greva do të vazhdojë.
Kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi tregoi se çfarë u fol në takim me përfaqësuesit e Kuvendit.
“Ne i shpjeguam problemet tona në të cilët edhe ata vet ishin të vetëdijshëm. Tash e tutje do të veprohet më anë të dokumentimit të shumë gjërave sepse në bazë të dhënave që na kanë dhënë nga brendësia për çështjen e pagesës, për punëtoret dhe çështja e shërbimeve që bëhen këtu është një diskrepancë shumë e madhe”- tha Azemi.
Shkëputja e kontratës mund të ndodhë javën e ardhshme.
“Na ka mbetë javën e ardhshme, gjithçka që kemi dhe që është në kundërshtim me të drejtat e punëtoreve do të i paraqesim dhe nëse ne kemi argumente, kompanisë do të i ndërpritet kontrata”- shtoi ai.
Lidhur me këtë rast, të premten më 20.09.2024, para Kuvendit të Kosovës ka mbajtur protestë Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist. Kjo në shenjë të përkrahjes së punëtoreve teknike të Kuvendit, të cilat kanë hyrë në grevë.
Punëtoret kishin protestuar edhe me 09.07.2024.
Punëtoret teknike të Kuvendit të Kosovës kanë protestuar duke kërkuar rritje page nga 275 euro sa marrin në muaj, ta kenë atë rreth 500 euro.