Trepça - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Vazhdon greva e minatorëve të Trepçës, ende nuk i kanë marrë pagat e qershorit

Data shënon 29 korrik, ndërsa minatorët e Trepçës nuk i kanë marrë ende pagat për muajin qershor.

Kështu ka njoftuar Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës të cilët kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme.

“Një qasje e tillë refuzuese ndaj ndërmarrjes ‘Trepça Sh.A’ dhe minatorëve, duke i lënë të njëjtit buzë humnerës dhe duke ia pamundësuar ekzekutimin e pagave gati për dy muaj nën këto kushte të rënda financiare të minatorëve, përbën shqetësim serioz dhe sfidë që kërkon zgjidhje të menjëhershme”- thuhet në njoftim.

“Reflektoni dhe ekzekutoni pagat” është kërkesa e sindikalistëve drejtuar qeverisë, menaxhmentit e bordit të ndërmarrjes.

“Interesimi për fatin e minierës dhe minatorëve nga qeveria, ministria dhe bordi i ndërmarrjes janë në nivelin zero. Vullneti i tyre për prosperitetin e kësaj ndërmarrje dhe premtimi për ditë të mira në ndërmarrjen ‘Trepça SH.A.’, janë vetëm fjalë boshe dhe asgjë tjetër” – thuhet tutje në njoftim.

24.07.2024 KALLXO.com ka raportuar se minatorët kanë hyrë në grevë për shkak të mosrealizimit të pagave të muajit qershor dhe shujtave ushqimore.

Kështu kishte thënë për KALLXO.com kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Januzi, më 24.07.2024.

“Që 14 ditë nuk kanë punu minatorët për shkak të mosrealizimit të pagave dhe shujtave ushqimore”- ishte shprehur Januzi.

Ndërkaq kryeshefi i ndërmarrjes, Bashkim Kurti, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se pagat nuk janë realizuar deri më tani për shkak të mungesës së fondeve.

“Arsyeja pse nuk është pagu është vetëm mungesa e fondeve” – ka thënë Bashkim Kurti.

Dita e 14-të e grevës së minatorëvë të “Trepçës”, menaxhmenti ende pa përgjigje se kur dalin pagat