Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së

Vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, në seancë të mbyllur flet dëshmitari i gjashtë

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po mbahet seanca ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së filloi më 3 prill 2023, dy vjet pas arrestimit dhe dërgimit të tyre në Hagë.

Ata po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit si përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave, arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor.

Të martën në senacë të mbyllur po deklarohet dëshmitari i gjashtë i cili filloi dhënien e dëshmisë dje.

Dëshmitari i gjashtë, i koduar me shifrën 4355,  i Prokurorisë Speciale ka rrëfyer për personin me numër 2 që, sipas tij, ishte ndaluar nga pjesëtarë të UÇK-së si i dyshuar për spiun.

Dëshmitari fillimisht ka konfirmuar se personi 1 kishte parë ndalimin e personit 2 dhe ka treguar se personi 1 ishte në gjendje të keqe, i rrahur.

Prokurori: Personi 2 a të ka thënë ty në çfarë gjendje ishte personi 1 kur janë takuar?

Dëshmitari: Jo në gjendje të mirë.

Prokurori: Çfarë të ka thënë?

Dëshmitari: I rrahur.

Prokurori: Pse e kishte ndaluar personin 1?

Dëshmitari: I kanë thanë se është bashkëpunëtor i Serbisë, spiun.

Ditë më parë trupi gjykues ka kërkuar nga palët që të sigurojnë publicitet të procesit.

Katër dëshmitarë janë dëgjuar në seanca pothuajse tërësisht të mbyllura për publikun. Të mërkurën (17 maj 2023) gjykatësi Smith ka theksuar se të akuzuarit kanë të drejtë të dëgjojnë seanca publike dhe se është interes publik që këto procedura të jenë sa më publike të jetë e mundur.

Pas kësaj kërkese dëshmia e dëshmitarit të pestë u bë herë pas here publike.

Hashim Thaçit Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Ata janë vetëdeklaruar të pafajshëm për akuzat në fjalë.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.