FOTO ARKIV

Vazhdon Gjykimi ndaj Ish-zyrtarëve të Akreditimit

Gjykimi ndaj ish-zyrtarëve të agjencisë së akreditimit Basri Muja e Ferdije Zhushi si dhe Armend Mujës do të vazhdojë sot.

Seanca gjyqësore në rastin e ish-zyrtareve të akreditimit, Basri Muja e Ferdije Zhushi, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit, si dhe Armend Mujës i akuzuar për marrje të ryshfetit pritet të vazhdojë edhe sot në Gjykatën e Prishtinës.

Në seancën e kaluar dëshminë e tij e kishte dhënë dëshmitari Veton Sahiti, ish-punëtor në Kolegjin “ISPE”.

Dëshmia e këtij dëshmitari mbeti në gjysmë pasi që kjo seancë gjyqësore u ndërpre muajin e kaluar për shkak të angazhimeve të njërit prej anëtareve të trupit gjykues, duke u caktuar kështu që e njëjta seancë të vazhdohej me datën 16 Nëntor.

Në seancën e kaluar dëshmitari Veton Sahiti gjatë dhënies së dëshmisë së tij, u pyet nga prokurori Abdurrahim Islami në lidhje me një deklaratë të dëshmitarit të dhënë më herët në polici.  Sipas kësaj deklarate Sahiti kishte thënë në polici se nga Avni Mazreku ishte vënë në dijeni se Basri Muja kishte kërkuar para për akreditimin e programeve.

Dëshmitari deklaroi se ai nuk e di shumën e saktë të parave të cilat Basri Muja i kishte kërkuar Avni Mazrekut, por ka shtuar se atij i ishte thënë se këto të holla Basri Muja po i kërkonte si borxh.

http://kallxo.com/deshmitari-jane-permendur-para-qe-basri-muja-kerkonte-borxh/

Në seancën e sotme pos dëshmitarit Veton Sahiti, dëshminë e tyre rreth këtij rasti pritet ta japin edhe dëshmitaret Fortuna Mehmeti, Agon Demjaha, Ridvan Obertinca si dhe Ramadan Idrizaj.

Në këtë proces gjyqësor Basri Muja dhe Ferdije Zhushi ngarkohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje dhe në vazhdim dhe për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerjeje.

Ndërsa Armend Muja akuzohet për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerje.

Në kohën për të cilën akuzohen, Basri Muja ishte drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ndërsa Ferdije Zhushi zyrtare e kësaj agjencie.

Ferdije Zhushi-Etemi që ishte kryetare e Bordit të Agjencisë Kosovare për Akreditim dha dorëheqje nga kjo pozitë në shtator të vitit 2015, pak ditë pasi ndaj saj u ngrit aktakuza.

Ajo bashkë me Armend Mujën, një ish-punonjës në UNDP u arrestuan në nëntor të vitit 2014.

Për këtë rast i akuzuar ishte edhe Naim Braha që ngarkohej për dhënie të ryshfetit, por Brahës i është vjetërsuar lënda.