Vazhdon gjykimi ndaj ish-gjyqtarit Sali Berisha, i akuzuar për marrje ryshfeti

Sot ka vazhduar gjykimi ndaj ish-gjyqtarit Sali Berisha, i cili po akuzohet për marrje ryshfeti dhe armëmbajtje pa leje.

I njëjti po akuzohet nga Prokuroria Speciale se kishte pranuar shumën e parave në vlerë prej 2 mijë euro nga dëshmitari F.Z.

Në seancë sot ka vazhduar marrja në pyetje e dëshmitarit Visar Shala, i cili ka qenë bartës i hetimeve në çështjen penale kundër ish-gjyqtarit.

Mbrojtësi i Sali Berishës, Besnik Berisha, pyeti dëshmitarin Shala se kush e futi dhe pse u fut djali i Saliut në listën e dëshmitarëve në kohën kur ishte kryer bastisja në banesën e is-gjyqtarit nga ana e policisë.

“Nuk më kujtohet” – u përgjigj dëshmitari Shala.

Tutje, mbrojtësi i Berishës, pyeti Shalën së a kishte ndonjë mbishkrim në plitkon në të cilën u gjendën 10 mijë euro gjatë bastisjes në banesë.

Shala tha që nuk i kujtohej saktë, por kishte dëgjuar nga familjarët që këto të holla nuk ishin të tyre.

“Nuk m’kujtohet, por e di që diçka u diskutua që këto para nuk janë tonat (të familjarëve) dhe nuk më kujtohet as kush e ka thënë këtë” – tha dëshmitari Shala.

Dëshmitari gjithashtu tregoi që në momentin kur arma i ishte dorëzuar hetuesisë, bashkë më armën nuk ishte paraqitur leja për mbajtje të saj.

Sot pritej që të dëshmonte edhe Z.S., por meqë se kryetari i trupit gjykues duhet të ishte prezent në një gjykim tjetër, e njëjta u ndërpre për të vazhduar nesër me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë.

Kujtojmë që në qershor të viti 2021, Gjykata e Prishtinës e kishte konfirmuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria, ndaj gjyqtarit Sali Berisha, i cili akuzohet për marrje të ryshfetit dhe armëmbajtje pa leje.

Të pakënaqur me vendimin e Gjykatës së Prishtinës, Sali Berisha, përmes mbrojtësit të tij kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Gjykata e Apelit kishte vërtetuar vendimin e Gjykatës së Prishtinës, me anë të të cilit ishte konfirmuar aktakuza e ngritur ndaj gjyqtarit Sali Berisha.

Sipas Prokurorisë, më 19 shtator 2019, i akuzuari Sali Berisha ishte takuar me dëshmitarin F.Z., me të cilin kanë shkuar te vetura e dëshmitarit dhe pasi kanë hyrë brenda, i akuzuari ka pranuar nga dëshmitari shumën e parave në vlerë prej 2 mijë eurove.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, për shkak se i akuzuari ishte dakorduar me dëshmitarin, qënë një rast ku i akuzuar për dy vepra penale të kontrabandimit me emigrantë, ishte vëllai i dëshmitarit F. Z., në të cilin rast i pandehuri Sali Berisha ishte kryetar i trupit gjykues, ishte dakorduar që të njëjtit t’i shqiptojë dënim të favorshëm, me ç ‘rast Berisha ka marrë aktgjykimin me të cilin i ka shqiptuar dënim të kushtëzuar me burg prej 3 vjet, me kusht që brenda 2 viteve të mos kryej vepër tjetër penale.

Po ashtu, Prokuroria akuzon gjykatësin Sali Berisha se deri më 19 shtator 2019 ka mbajtur armë, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm, një revole të tipit ‘Zaza Mini’, kalibri 8mm, së bashku me 10 fishekë, e cila është gjetur kur i është bastisur banesa në Pejë.

Gjykatësi Sali Berisha, në dhjetor të vitit 2019, pas 3 muajve të qëndrimit në paraburgim, ishte liruar për të qëndruar në arrest shtëpiak.