Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së

Vazhdon gjykimi i mbyllur kundër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

Në një seancë të mbyllur për publikun, dëshmitari i katërt me numrin 4748 në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vazhdon të japë dëshminë e tij.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po mbahet seanca e radhës ndaj Hashim Thaçit dhe tre bashkëluftëtarëve të tjerë, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët po akuzohen për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Prokuroria të hënën është duke vazhduar marrjen në pyetje ndaj dëshmitarit derisa i njëjti ka filluar deklaratën e tij javën e kaluar.

Më shumë se dy vjet pasi Hashim Thaçi u arrestua dhe u dërgua në Hagë, gjyqi ndaj ish-presidentit të Kosovës dhe tre luftëtarëve të tjerë për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit filloi më 3 prill 2023.

Deri tani, katër dëshmitarë janë dëgjuar në seanca të mbyllura për publikun.

Në këtë çështje, Prokuroria po pretendon për mbi 400 viktima të mbajtjes në qendrat e ndalimit, mbi 100 vrasje dhe 20 të zhdukur me dhunë.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020, dhe u ndryshua më 3 shtator 2021, 29 prill 2022, dhe 30 shtator 2022. Versioni me më pak redaktime i Aktakuzës u dorëzua më 27 shkurt 2023. Kjo është aktualisht aktakuza në fuqi në këtë çështje gjyqësore.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe katër akuza për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani,140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Rasportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.