Vazhdon gjykimi i Faik Graincës për peticionin e falsifikuar

Në Gjykatën e Ferizajt ka vazhduar seanca ndaj ish Drejtorit të Urbanizmit Faik Grainca i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Grainca akuzohet se nuk ka bërë verifikimin e nënshkrimeve të peticionit të qytetarëve për një rrugë të cilat kanë rezultuar të jenë të falsifikuara.

Bashkë me Graincën po akuzohen edhe Arben Kurteshi dhe Izer Ramadani,këta për falsifikim të dokumentit.

Në seancën e sotme u dëgjuan dy dëshmitarë Faruk Lipovica dhe Fidan Imeri.

Fidan Imeri deklaroi se nga Faruk Lipovica i cili është edhe burri i motrës së tij ka marrë një peticion dhe ai ka mbledhur nënshkrime te njerzit e njohur si tezja, burri tezees si dhe fëmijet e tezës, por i njejti deklaron se nënshkrimet i ka mbledhur për zonën 8 dhe jo rrugën ‘’Astrit Bytyqi’’.

“Pasi i kam mbledhur këto nënshkrime i kam dorëzuar tek Faruk Lipovica dhe më tutje unë nuk kam njohuri”, tha ai.

Në dëshminë e tij dëshmitari Faruk Lipovica tha se ai nuk i ka dhënë Fidanit ose dikujt tjetër ndonjë peticion për ta nënshkruar.

Seanca e radhës do të mbahet me datë 5 nëntor, si dhe në seancën e radhës pritet të thirret dëshmitarja Besjana Ademi ,

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Ferizajt, Faik Grainca në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Mjedisit në Ferizaj ka tejkaluar kompetencat e tij duke i shkelur seriozisht të drejtat e personave të tjerë.

Grainca sipas Prokurorisë nuk i ka verifikuar nënshkrimet në peticionin e qytetarëve të cilat kanë rezultuar të jenë të falsifikuara edhe pse i pandehuri më parë ka qenë në dijeni se nënshkrimet në peticion janë të falsifikuara dhe si pasojë është lejuar që rruga ‘’Astrit Bytyqi’’ të mbetet banim kolektiv edhe pse banorët e kësaj rruge kanë qenë për banim individual.

Më tej në aktakuzë thuhet se si rezultat i peticionit të falsifikuar Kuvendi Komunal ka aprovuar planin urbanistik.

Prokuroria akuzon edhe Izer Ramadanin dhe Arben Kurtishin se kanë përpiluar dokument të falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të tij si origjinal, në atë mënyrë që kanë mbledhur nënshkrime nga banorët e lagjeve të tjera me qëllim që të njëjtat nënshkrime në peticion t’i përdorin si origjinal, kinse banorët e zonës 8 rruga ‘’Astrit Bytyqi’’ kanë dhënë pëlqimin që kjo zonë të mbetet banim kolektiv edhe pse banorët e kësaj lagjeje kanë qenë për banim individual.