Një qytetar nga Mitrovica e Veriut duke u furnizuar me ujë të pijshëm përmes autobotëve të vendosur në pjesë të ndryshme të qytetit. Foto: Florinda Kelmendi/KALLXO.com | 30.11.2024

Vazhdon furnizimi me ujë të pijes në lagjet e Mitrovicës së Veriut

Vazhdon furnizimi me ujë të pijes në lagjet e Mitrovicës së Veriut, njofton Komuna e Mitrovicës së Veriut.

Sipas tyre për çdo kërkesë qytetarët mund të drejtohen në numrin e telefonit 046/755-721.

“Ju njoftojmë që po vazhdon furnizimi me ujë të pijes nëpër lagjet e Mitrovicës Veriore. Njoftohen qytetarët që për çdo kërkesë rreth furnizimit me ujë të pijes të kontaktojnë në numrin e telefonit 046/755-721”- thuhet në njoftim.

KALLXO.com ka raportuar se qytetarët e Mitrovicës së Veriut kanë nisur të furnizohen me ujë të pijshëm përmes autobotëve të vendosur në disa lokacione të qytetit duke filluar nga ora 13:00.

Një pjesë e rajonit të Mitrovicës ka mbetur pa ujë si pasojë e sulmit në kanalin e Ibër Lepencit që tronditi vendin në mbrëmjen e 29 nëntorit.

Policia e Kosovës dhe zyrtarët komunalë të Mitrovicës së Veriut në bashkëpunim me KEK-un janë parë në terren në “Lagjen e Boshnjakëve” më 30.11.2024.

Zyrtarët e Komunës kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë edhe në lokacione të tjera të qytetit.

Sipas njoftimit paraprak, autobotet me ujë u vendosen në orën 13:00 – Lagjja e Boshnjakëve; në 13:45 në Lagjet pranë Spitalit; dhe në 14:30 në Lagjet pranë Stacionit të Policisë.

Qytetarët e Mitrovicës së Veriut kanë nisur të furnizohen me ujë të pijshëm përmes autobotëve të vendosur në disa lokacione të qytetit.

Ndërsa në Mitrovicë të Jugut, për të siguruar furnizimin me ujë të pijshëm, nivelit qendror i është kërkuar dërgimi i cisternave me ujë.

Kështu ka njoftuar kjo komunë, pas takimit që mbajti kryetari Bedri Hamza me Komitetin për Menaxhimin e Emergjencave.

Një shpërthim ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër Lepencit në fshatin Vrragë të komunës së Zubin Potokut. Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë.

Kryeministri Albin Kurti njoftoi sot nga vendi i ngjarjes se veçse janë bërë disa arrestime si rezultat i disa bastisjeve.

Këtë sulm e kanë dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian.

Ky shpërthim ka shkaktuar probleme në furnizim me ujë dhe rrymë në Kosovë.Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit të shkaktuar, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.

Kryeshefi i Ibër Lepencit, Faruk Mujka ka thënë se besojnë që së shpejti do të bëjnë zgjidhje edhe për ujë të pijshëm.

Për këtë çështje, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm (30.11.2024) ku ka folur për këtë shpërthim.

Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar. Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.

Të gjitha lajmet rreth situatës pas shpërthimit në kanalin e Ibër Lepencit, mund t’i lexoni në artikullin e mëposhtëm.

Lajm në Zhvillim: Shpërthim në Zubin Potok, dëmtohet kanali i ujit të Ibër-Lepencit