Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vazhdon dhuna në familje, disa arrestime në 24 orët e fundit në Kosovë

Disa persona janë arrestuar në 24 orët e fundit në Kosovë për raste të dyshuara të dhunës ndaj familjarëve të tyre, nëpër qytetet të ndryshme.

Policia e Kosovës ka njoftuar se në Podujevë, burri ka njoftuar se djali i tij në vazhdimësi është duke i sulmuar atë dhe familjaret e tjerë, duke i gjuajtur me gjësende të shtëpisë dhe duke i keqtrajtuar psiqikisht.

Sipas ankuesit djali i tij është i sëmurë mendor. PK njofton se i dyshuari është arrestuar dhe pas tretmanit në psikiatri me urdhër të prokurorit dërgohet në mbajtje.

Në një tjetër rast në Prishtinë, një burrë ka njoftuar se  gruaja me të cilën bashkëjeton e ka sulmuar fizikisht dhe i ka shkaktuar lëndime trupore.

Viktima ka pranuar tretman mjekësorm ndërsa sipas Policisë, palët e involvuara në rast janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë  të rregullt.

Sipas një rasti tjetër në kryeqytet, dje pasdite është arrestuar një person pasi që i njëjti në vazhdimësi ka ushtruar dhune fizike ndaj gruas me të cilën bashkëjeton  dhe dy djemve të tij. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje.

Ndërkaq, në Ferizaj një grua ka njoftuar se i dyshuari bashkëshorti i saj  në gjendje të dehur e ka kanosur dhe sulmuar fizikisht.

I dyshuari gjendet në arrati, kurse  viktima  është dërguar në strehimore.

Në Klinë, një tjetër grua ka pranuar trajtim mjekësor pasi që e njëjta pas një mosmarrëveshje në familje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Sipas PK, palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Një tjetër rast i dhunës ndaj gruas është raportuar në Gjakovë. Policia e ka arrestuar një burrë, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht gruan me të cilën bashkëjeton.

“Viktima është dërguar për tretman mjekësorë dhe e njëjta nuk ka pësuar ndonjë lëndim. Me vendim të prokurorit i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24-rësh të Policisë.

Në anën tjetër në Rahovec, një person dyshohet se i ka kanosur verbalisht gruan e tij dhe atë të djalit të tij.

Policia të njëjtin e ka arrestuar dhe me vendim të prokurorit ai është dërguar në mbajtje.

Në Kosovë, gratë vazhdimisht janë pre e rasteve të dhunës në familje, kryesisht nga burrat e tyre.

Javën e kaluar, një grua është vrarë me armë zjarri në fshatin Llaushë të Skenderajt. Lidhur me këtë vrasje është arrestuar bashkëshorti i saj, i cili dyshohet se është dorasi.

Nga hetimet fillestare prej vendit të ngjarjes bëhet e ditur se personi i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të gruas së tij L.Q., 48-vjeçare, e cila kishte pësuar lëndime të rënda dhe nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve.

KALLXO.com kishte siguruar raportin e ditës kritike kur është kryer vrasja. Siç thuhet në raport, më 5 janar rreth orës 13:47, policia ishte njoftuar për një rast të dhunës në familje në fshatin Llaushë të Skenderajt.

Kur kishte pranuar informacionin policia, ishte kërkuar që të njoftohet edhe Emergjenca në QKMF. Në vendin e ngjarjes njësia patrulluese që kishte marrë informacionin kishte gjetur 48-vjeçaren me inicialet L.Q., të plagosur nga arma e zjarrit.

Rreth orës 14:00, burri ishte dorëzuar në polici dhe kishte lajmëruar se ka vrarë gruan e tij.