Prodhimi i kriptovalutave; Foto: Policia e Kosovës

Vazhdon aksioni, Policia sekuestron 39 aparate për prodhimin e kriptovalutave në Prishtinë

Policia e Kosovës ka vazhduar me zbatimin e një vendimi që ndalon prodhimin e kriptovalutave në vendin tonë.

Sipas njoftimit të fundit të forcave të rendit, sot janë sekuestruar 39 aparate për prodhimin e kriptovalutave në Prishtinë, 35 prej të cilave kur po kryhej kontrolli kanë qenë në funksion.

Aksioni është zhvilluar në mbështetje të ekipeve të KEDS-it në rrugën “Dëshmorët e Prapashticës” në Prishtinë.

“Marrë parasysh procedurat ligjore lidhur me këtë rast janë njoftuar zyrtarët përgjegjës të Doganës së Kosovës dhe në koordinim me ta do të ndërmerren veprimet e mëtejme”, thuhet në fund të njoftimit.

Sot, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganat e Kosovës konfiskoi 272 aparatura për prodhimin e kriptovalutave në Leposaviq.

Të njëjtat, sipas ministrit të Financave, harxhonin rrymë sa 500 shtëpi banimi.

Foto: Policia e Kosovës/Facebook